Urdhrat e Ramës: Spektakël edhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër

Një valë shkarkimesh ka përfshirë Drejtorinë Vendore të Policisë në Shkodër, pas skandalit me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Thethit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka bërë publike vendimin për shkarkimin e drejtorit të policisë vendore, si dhe të një pjese të strukturës drejtuese.

Është shkarkuar nga detyra Fatmir Lleshi, drejtor i policisë Shkodër dhe shefi i komisariatit, Nik Nikolla. Shefi i Stacionit të Thethit, po ashtu është pezulluar nga detyra.

Ky zhvillim vjen pas publikimeve mediatike dhe verifikimeve në terren që zbuluan tolerimin dhe mosveprimin e autoriteteve lokale të rendit përballë ndërtimeve të paligjshme në një prej zonave më të mbrojtura dhe të frekuentuara nga turistët.

Ndërkohë, janë paralajmëruar edhe masa të tjera disiplinore e administrative ndaj punonjësve të tjerë të përfshirë ose që kanë neglizhuar detyrën. Policia e Shtetit ka theksuar se nuk do të tolerohet asnjë shkelje ligji, veçanërisht në zona të ndjeshme si parqet kombëtare.