Hetimet e SPAK ndaj Aeroportit të Vlorës/ Hoxha: Kemi paralajmëruar gjithçka, qeveria po rrezikon buxhetin me kontrata të rënda koncesionare

Kryetari i grupit të këshilltarëve bashkiakë në Vlorë, Atird Hoxha, ka folur në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, për hetimet e nisura nga SPAK për koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas tij, opozita e ka denoncuar prej kohësh këtë aferë, por akuzat janë shpërfillur me justifikimin se vijnë nga kundërshtarë politikë. Ai ngre shqetësimin për barrën financiare që u imponohet qytetarëve përmes garancive të qeverisë ndaj koncesioneve, duke veçuar marrëveshjen e aeroportit si një rast tipik ku shteti ka garantuar 132 milionë euro pagesa, pavarësisht trafikut ajror. Sipas tij, rreth 11% e buxhetit të shtetit tashmë është i angazhuar në kontrata të tilla, duke e ekspozuar vendin ndaj riskut ekonomik afatgjatë.

ATIRD HOXHA: Ne i kemi denoncuar të gjitha këto sa thuhen, por kur denoncon opozita thonë: ‘hë mo se këta e kanë për forcë kundërshtie kundër qeverisë dhe Edi Ramës’. Edi Rama është vizionar i madh dhe ndërkohë pastaj, pasojat i kanë të gjithë qytetarët së bashku, të majtë dhe të djathtë. Sa i përket kësaj kronike, është një kronikë e paralajmëruar.

Nuk është diçka që ndodhi rastësisht sepse ky koncesionar, është ai që favorizon privatisht firmën private që ka marrë përsipër të ndërtojë. 10 vitet e para të tij, qeveria shqiptare, pavarësisht trafikut ajror që do të ketë ky aeroport garanton shumë e 132 milionë eurove.

Se këtu janë bërë këto eurot si karamele. 200 tek inceneratorët, 100 tek tecet lundruese, tek aeroporti, por në fund fare thash që janë taksat e qytetarëve dhe nëse nuk janë sot të pagueshëm, pas 1 viti apo 2 vjetësh do të jenë të pagueshëm nga taksat e qytetarëve të cilat nëse nuk do ti përballojnë ato taksa që sot paguhen, do të rrisin dhe ca taksa të tjera për të përballuar kostot e shtuara për këto koncesionarë janë të shumtë dhe qeveria shqiptare për të thënë të vërtetën dhe buxheti i shtetit ka rreth 11 % të buxhetit të tij të përcaktuar në kontrata koncesionare. Është një shumë e konsiderueshme sepse 11% e buxhetit të shtetit e ekspozon edhe nga ana ekonomike, e vë në risk buxhetin e shtetit. Por sidomos kjo kontratë që kanë një garanci nga ministrja e famshme, Balluku në vitin 2021, në të cilën shteti shqiptar garanton pagesën e 132 milionë eurove pavarësisht trafikut që do të ketë ky aeroport. Ky aeroport mund të ketë trafik të shkuar apo mund të mos ketë, sepse mund të jetë edhe një aeroport thjesht sezonal.