Xabi Alonso: E dhimbshme dhe e turpshme të humbasësh kështu
Një eliminim i turpshëm për Real Madridin nga Kupa e Botës për Klube, që u mund 4-0 nga PSG në gjysmëfinale. Pas humbjes së rëndë trajneri i “Los Blancos”, Xabi Alonso, ka mbetur me një shije të hidhur.
“Fillimi i ndeshjes la një gjurmë të thellë te ne. U bë shumë e vështirë për ne që në minutën e 10-të. Kjo është një shenjë se sa shumë punë duhet bërë ende“, shpjegoi trajneri i Real Madridit.
“Duhet ta pranojmë me qetësi, por me rigorozitet. Dhemb një humbje e tillë. Ka më shumë për të analizuar se sa performanca e përgjithshme. Jemi ende në fillim të punës. Pas nëntë minutash, ishim tashmë dy gola poshtë”, vazhdoi Xabi Alonso.
“Tani për tani, nuk duhet të çmendemi dhe të humbasim mendjen; duhet të jemi më të përqendruar, siç ishim në pjesën e dytë. Kemi ende shumë për të përmirësuar. Kjo ndeshje përfaqëson fundin e sezonit, jo fillimin e një të riu”, shtoi ai.
“Duhet të kujtojmë se ka ende shumë gjëra për të përmirësuar. Vinicius dhe Mbappe së bashku? Skuadra nuk funksionoi si duhet, ndaj është e vështirë të flasësh për situata individuale”, tha Xabi Alonso.