'Statistikat alarmante për dhunën ndaj grave', Leskaj: Çdo rast duhet raportuar pranë autoriteteve përkatëse

Ines Leskaj, aktiviste për të drejtat e grave, nga studioja e “Kafe Shqeto” ka folur për situatën shqetësuese të dhunës ndaj grave në Shqipëri.

Ajo u shpreh se statistikat janë alarmante dhe se rastet e dhunës janë rritur ndjeshëm, madje dyfish në krahasim me vitet e mëparshme, ku një pjesë e madhe e grave që denoncojnë dhunën ndihmohen nga organizata të grave që veprojnë në qytete të ndryshme si Vlora, Elbasani, Durrësi, Saranda dhe Peshkopia.

Ajo përmendi përvojën e saj shumëvjeçare në mbështetje të viktimave, që ka nisur që nga qendra “Vatra” për viktimat e trafikimit.

Sipas saj, dhuna nuk rikthehet në familje të shëndetshme, por në ato që kanë pasur histori të përsëritura të dhunës.

Leskaj vuri në dukje se shumë çifte nuk kanë mundësi të ndjekin terapi për shkak të kushteve të vështira ekonomike, duke e bërë më të vështirë parandalimin dhe trajtimin e dhunës.

Ines Leskaj:

"Statistikat kanë qenë alarmante, për fatin e mirë të shoqërisë shqiptare aktivizmi nuk është vetëm në letër, është pjesë me rëndësi e jona si puna e aktivizmit dhe shoqërisë civile që nuk arrijmë në kohën e duhur për shkak të shumë sfidave që të njoftojmë edhe mediat për punën tonë.

Është detyrë e jona që të njoftojmë të gjitha këto gra, që ekzistojnë shërbime të cilat për hir të së vërtetës, një pjesë e mirë e tyre ofrojnë ndihmë nga organizata të grave, në Vlorë, Elbasan, Durrës, Sarandë, Peshkopi etj. Unë po insistoj duke i përmendur sepse këto janë reale.

Sa i përket numrit të rasteve, këto kanë qenë të rritura, janë rritur gjithnjë e më shumë dhe ne mendojmë se është pjesë e ndërgjegjësimit të vajzave dhe grave për të mos e pranuar dhunën dhe në këtë këndvështrim mund të jetë lajm i mirë për shoqërinë tonë. Lajm i mirë që janë rritur raportimet e raportimit të dhunës, të denoncimit të dhunës, në këtë kuptim e kam.

Po flas për këto 18-19 vitet e fundit, e kam nisur me qendrën 'Vatra', që punonte për rastet e viktimave të trafikimit.

Nëse sa i përket dhunës, janë më të ulëta statistikisht ato rastet të cilat dhuna ndodh rrallë, kështu e nëse rikthehet dhuna, rikthehet aty ku ka pas cikël dhune dhe jo tek një familje e shëndetshme.

Është për t’u theksuar fakti se familja është e rëndësishme, duhen ndjekur disa hapa: ajo e ndërmjetësimit, edhe terapia në çift të cilën jo shumë çifte kanë mundësi ta përballojnë ekonomikisht dhe problemi është se ajo kushton dhe kushton shumë.

Ne e dimë se është shumë e vështirë që kjo gjë të përballohet financiarisht nga familjet shqiptare.

Në gjykatat e Tiranës apo edhe në vendet e tjera statistikisht ne kemi më shumë se 90% të dhunës ndaj grave dhe çështja është se nuk ka arritur shoqëria jonë të raportojë raste të tjera dhune veç atyre ku janë të pajisur me urdhër mbrojtje".