Ja pse një euro e fortë mund të jetë lajm i keq për kompanitë evropiane
Rritja e ndjeshme e euros gjatë vitit 2025 po ushtron presion mbi fitimet e korporatave në të gjithë Evropën, teksa sezoni i publikimit të të ardhurave për tremujorin e dytë pritet të nxjerrë në pah një tablo më të zymtë.
Një analizë e Bank of America paralajmëron se një valutë më e fortë, e kombinuar me rënie të kërkesës dhe shitjeve, po i redukton ndjeshëm marzhet e fitimit në shumicën e sektorëve të indeksit STOXX 600.
Gjatë tremujorit të fundit, euro ka shënuar një rritje prej 9% kundrejt dollarit amerikan — niveli më i lartë në katër vitet e fundit — dhe një forcim prej 4.6% ndaj një shporte valutash të huaja, sipas BQE-së. Analistët nga Wall Street parashikojnë një rënie prej 3% të fitimeve për aksion (EPS) krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa shitjet janë tkurrur me të njëjtin ritëm.
Sektorët më të prekur pritet të jenë ai i energjisë dhe i konsumatorëve, veçanërisht industritë që nuk prodhojnë mallra të domosdoshme, ndërsa kujdesi shëndetësor mbetet sektori më i qëndrueshëm. Fitimet nga sektorët ciklikë (përjashtuar financat) parashikohen të bien sërish, pas dy tremujorësh rritjeje, me ulje të pritshme të EPS me 2.5% vetëm gjatë muajit të fundit.
Ndërkohë, pritshmëritë për rritjen e EPS për vitin 2025 janë përgjysmuar nga 6% në 3%, me një ndikim të theksuar në sektorin e automjeteve. Bank of America parashikon një rënie prej 4% të EPS në vitin 2025, duke përmendur si arsye efektet e kursit të këmbimit, rënien e investimeve në SHBA dhe rritjen e barrierave tregtare.
Në fokus do të jenë tre kompani kyçe, që pritet të ndikojnë drejtimin e tregjeve:
• ASML Holding NV raporton më 16 korrik, me pritshmëri për rritje të EPS me 32%, në 5.30 euro, ndërsa të ardhurat parashikohen në 7.61 miliardë euro. Pavarësisht bumit të inteligjencës artificiale, aksionet e ASML kanë qëndruar të pandryshuara këtë vit.
• SAP SE, kompania më e madhe në bursën evropiane, raporton më 22 korrik me pritshmëri për rritje të EPS nga 1.10 në 1.46 euro dhe rritje të të ardhurave në 9.15 miliardë euro. Aksionet e saj janë rritur me 11.5% gjatë 2025-ës.
• UniCredit SpA, banka e parë e madhe që raporton më 22 korrik, pritet të shënojë rënie të EPS me 3.5% për shkak të ciklit të ri të uljes së normave të interesit nga BQE.
Me sfida të shumta në horizont dhe një euro gjithnjë e më të fortë, korporatat evropiane po hyjnë në tremujorin e dytë me pritshmëri të zbehura dhe një realitet më të vështirë financiar./ Euronews - Syri.Net