Preferojnë autoritarizmin.../ A besojnë të rinjtë evropianë në demokraci?
Pavarësisht se shumica e të rinjve evropianë shprehen në mbështetje të demokracisë, 21% e tyre deklarojnë se në rrethana të caktuara do të favorizonin një qeveri autoritare mbi një sistem demokratik.
Sondazhi i fundit i kryer nga YouGov për Fondacionin TUI hedh dritë mbi qëndrimet politike dhe perceptimet e brezit të ri në Evropë, duke përfshirë 6,703 të rinj të moshës 16-26 vjeç nga shtatë vende të mëdha evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas të dhënave, 57% e të rinjve shprehin mbështetje të qartë për demokracinë, por 48% prej tyre besojnë se ky sistem është aktualisht në rrezik në vendet e tyre. Mbështetja për demokracinë rezulton më e lartë në Gjermani me 71%, ndërsa më e ulëta në Poloni me 48%.
Studimi gjithashtu zbulon një tendencë në rritje të të rinjve që e identifikojnë veten si të qendrës së djathtë – nga 14% në vitin 2021 në 19% këtë vit – ndërkohë që ata që ndihen të disavantazhuar ekonomikisht dhe janë të djathtë të qendrës, shfaqin vetëm 33% mbështetje për demokracinë. “Këto shifra tregojnë se demokracia është nën presion – si nga jashtë ashtu edhe nga brenda,” tha Prof. Dr. Thorsten Faas nga Universiteti i Lirë i Berlinit, bashkëpunëtor në studim.
Nga ana tjetër, edhe përqindja e të rinjve që vetëklasifikohen si të majtë të qendrës është rritur, veçanërisht në Gjermani, Francë dhe Itali, duke reflektuar një polarizim gjithnjë e më të theksuar të spektrit politik.
Sa i përket Bashkimit Evropian, 51% e të anketuarve shprehen se BE-ja është një ide e mirë, por e zbatuar dobët – me më shumë kritikë në Greqi, ku 63% ndajnë këtë pikëpamje. Rreth 40% e të rinjve e konsiderojnë mënyrën e funksionimit të BE-së si jo veçanërisht demokratike, ndërsa 53% mendojnë se Unioni përqendrohet në çështje të parëndësishme në vend që të adresojë sfida reale si kriza e kostos së jetesës apo mbrojtja nga kërcënimet e jashtme.
Megjithatë, anëtarësimi në BE mbetet i mbështetur fuqishëm, me 66% që e shohin si një gjë të mirë. Veçanërisht interesante është mbështetja e të rinjve britanikë për ribashkimin me BE-në – me 73% që shprehen pro kësaj ideje, duke shënuar një ndërrim të dukshëm të qëndrimit pas Brexit-it.
Ndërkohë, një tjetër prirje që del nga sondazhi është rritja e kritikës ndaj imigracionit – 38% e të rinjve mbështesin politika më të ashpra imigracioni, krahasuar me 26% në vitin 2021 – një tjetër shenjë e transformimeve të qendrimeve politike në brezin e ri evropian./ Euronews - Syri.Net