Erdogan nënshtron kurdët/ Abdullah Oçalan shfaqet pas 25 vitesh, bën thirrje për dorëzim të armëve dhe fund të konfliktit
Në një videomesazh të publikuar sot– i pari i tij që nga viti 1999 – udhëheqësi i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Oçalan, shpalli përfundimin e luftës së armatosur kundër shtetit turk dhe bëri thirrje për dorëzimin e armëve. Ai deklaroi se lufta e PKK-së kishte mbaruar dhe se tani ishte koha për “politikë dhe paqe sociale”.
Në mesazhin shtatëminutësh, i transmetuar në mediat pranë grupeve militante, Oçalan theksoi se iniciativa për paqe kishte hyrë në një fazë që kërkon hapa praktikë dhe publikë. I rrethuar nga anëtarë të tjerë të burgosur të PKK-së, ai kërkoi krijimin e një komisioni parlamentar për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të garantuar çarmatimin e plotë të organizatës.
“Faza e luftës së armatosur ka mbaruar. Kjo nuk është një humbje, por një fitore historike,” tha Oçalan, duke i bërë thirrje ndjekësve të tij të braktisin rrugën e dhunës.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përshëndeti këtë zhvillim, duke shprehur shpresën se procesi do të ecë përpara pa pengesa. “Sapo të shembet muri i terrorit, me vullnetin e Zotit, gjithçka do të ndryshojë. Fituesit do të jenë të gjithë: turqit, kurdët, arabët dhe e gjithë Turqia,” deklaroi ai para deputetëve të partisë në pushtet.
Si hap konkret drejt paqes, një grup luftëtarësh të PKK-së pritet të dorëzojnë armët këtë javë në një ceremoni simbolike që do të mbahet në Sulaymaniyah, në veri të Irakut, ku PKK-ja ka mbajtur prej kohësh baza. Zëdhënësi i grupit, Zagros Hiwar, bëri me dije se 20 deri në 30 luftëtarë do të zbresin nga malet dhe do të shkatërrojnë publikisht armët e tyre në prani të OJQ-ve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur qeveria irakiane ka shpallur zyrtarisht ndalimin e PKK-së, ndërsa forcat turke kanë shtuar sulmet ndaj bazave të saj në Irakun verior. Ndërkohë, kreu i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, ka zhvilluar një vizitë në Bagdad për të diskutuar procesin e paqes me zyrtarë të lartë irakianë.
Deklarata e Oçalanit shihet si një hap vendimtar drejt përfundimit të një konflikti katër dekadash që ka kushtuar jetën e dhjetëra mijëra njerëzve në Turqi dhe rajon.