Spahia: Edi Rama tradhëtoi banorët, shemb investimet e tyre pas premtimeve elektorale

Në një intervistë për Syri TV, me moderatore Armela Ferko, deputeti i PD në Shkodër, Bardh Spahia, kritikoi ashpër qeverisjen e Edi Ramës lidhur me situatën në Theth.

Spahia e cilësoi veprimin e kryeministrit si një tradhti ndaj banorëve, të cilëve u kishte premtuar faljen e gjobave për ndërtimet pa leje gjatë fushatës, por që tani po shemb investimet e tyre në kulmin e sezonit turistik. Gjithashtu theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi Ramën dhe zinxhirin institucional që ka lejuar këtë situatë, duke e konsideruar si një reagim kriminal të strukturave shtetërore.

 “Po shohim në zbatim modelin e mirëfilltë të Edi Ramës. Në një moment të mirëfilltë të fushatës i premtoi atyre banorëve që do t’ua falte gjobat duke stimuluar ngritjen e ndërtimeve të reja pa leje. Nga ana tjetër, menjëherë pasi mori mbështetjen dhe votën e tyre, i penalizon menjëherë sot, duke i hedhur në tokë investimin e mijëra lekëve dhe eurove, të cilat janë kursimet e një jetë të tërë të atyre banorëve të asaj zone jashtëzakonisht të varfër, siç është Thethi. Në fakt, ky kryeministër aktualisht po tenton ta hedhë fajin tek banorët, ndërkohë që banorët janë të fundit të cilët duhet të fajësohen.

Është pikërisht Edi Rama i pari dhe më pas të gjithë zinxhirët e institucioneve në krijimin e kësaj situate. Sot ky kryeministër, në tradhti të atyre premtimeve që i kishte bërë atyre banorëve, zgjedh të çojë fadromat dhe të rrënojë investimet e tyre në mes të sezonit turistik. Shkeljet e institucioneve shtetërore, si ato lokale ashtu edhe ato qendrore, janë ekstreme në gjithë këtë histori. Ndërtimet janë nxitur nga deklaratat e kryeministrit dhe ky është fakt. Për fat të keq ne shohim një reagim kriminal të strukturave të shtetit dhe të Edi Ramës.” – tha Spahia.