Ja si po i përgjon Edi Rama shqiptarët/ Investigimi tronditës i medias publike austriake: Përdori ndalimin e TikTokut si ‘Kalë Troje’

Rrjeti mediatik publik i Austrisë, ORF, publikoi këto ditë një reportazh investigativ me disa pjesë në lidhje me ndalimin e TikTokut në Shqipëri. Në reportazhin me titull “Vendi pa TikTok- Shqipëria si laborator testimi”, gazetarja Franziska Schinderle jep alarmin se qeveria e përdori ndalimin e TikTokut si një “Kalë Troje” për të zbatuar një proces të quajtur “Deep Package Inspection-DPI”. Ky skandal u publikua fillimisht nga eksperti Besmir Semanaj që jeton dhe punon prej kohësh në Vjenë. Por edhe ekspertët e tjerë ndërkombëtarë mbështesin teorinë se DPI po përdoret si mjet censure.

PJESE NGA REPORTAZHI

Kuptimi i shkurtesës DPI: Franziska nuk e dinte se çfarë është. Ajo bisedoi me disa ekspertë IT. Takoi edhe Dirk Schomakers nga organizata gjermane D64, qendra për përparim digjital. Dirk punon në një firmë softuerike dhe është specialist IT. Ai e kupton se si funksionon teknologjia DPI në aspekt teknik.

Në internet, të dhënat dërgohen në paketa, qoftë kur dërgoni email ose hapni një faqe interneti. Kjo mund të krahasohet me postën analoge: në secilën pako apo zarf ka një dërgues dhe marrës. Kjo mjafton që posta apo ofruesi i internetit ta çojë dërgesën nga pika A te pika B.

Me DPI, ofruesit e internetit, si Vodafone, mund të “masin” paketat. Ata shikojnë sa janë të mëdha, sa peshojnë. I “trazojnë” për të zbuluar se çfarë mund të ketë brenda, edhe pa hapur përmbajtjen.

DPI është metodë për mbikëqyrjen dhe filtrimin e trafikut në rrjet.

Asnjë nuk e dinte për instalimin e DPI-së. Duhej të ishte sekret. Besmir Semanaj beson se përdorimi i DPI-së në Shqipëri duhej të mbetej sekret; qeveria të paktën nuk e komunikoi proaktivisht.

Ishte Besmiri ai që e bëri publike këtë në Facebook. Ai ka kontakte të mira me njerëz që punojnë në ofruesit e internetit në Shqipëri. Ata kanë rrjedhur informacionin se pajisjet me teknologji DPI janë instaluar te ofruesit shqiptarë — servera dhe makina të mëdha, jo pajisje të vogla.

Besmiri, denoncuesi nga Vjena, thotë se instalimi i këtyre makinave është bërë pa dijeninë e publikut. DPI nuk është diçka e keqe në vetvete, thotë ai. Kompani private e përdorin për të zbuluar softuerë të dëmshëm, për të mbrojtur nga sulmet dhe për të menaxhuar trafikun e internetit në mënyrë më efikase.

Por DPI ka edhe një anë të errët. Veçanërisht në vendet me regjime autoritare që e përdorin për censurë dhe kontroll.

Me DPI mund të bllokohen faqe interneti apo lidhje VPN. Përmbajtjet e mesazheve në Signal ose WhatsApp nuk mund të lexohen, sepse janë të koduara nga fillimi në fund (end-to-end encryption). As bisedat telefonike nuk preken.

Por mbeten meta-datat — si për shembull, kur dhe me kë komunikon dikush, përmes cilit shërbim. Ndonëse këto mund të duken të parëndësishme veç e veç, sa më shumë të mblidhen, aq më shumë pasqyrojnë sjelljen dhe jetën private.

Besmiri i jep Franziskës një shembull: me DPI mund të analizohet sjellja e përdoruesve në gjithë një vend. Çfarë faqe vizitojnë shpesh? Çfarë kërkojnë në internet? Çfarë banke përdorin? Çfarë video porno shikojnë? A investojnë në kripto? A janë fetarë? A informohen për konfliktin në Lindjen e Mesme?

Të gjitha këto pa dijeninë e tyre.

Ka raste ku e keqja bëhet e dukshme shpejt, si gjatë protestave masive. 

Nëse në Shqipëri ndodh një protestë, qeveria mund të bllokojë çdo aplikacion që dëshiron, ose të ngadalësojë internetin, siç ndodh tashmë në Turqi, ku presidenti Erdogan përdor DPI prej vitesh. 

Erdogan ka bllokuar Wikipedia dhe faqet e pavarura të lajmeve me DPI. 

Problemi themelor, thotë Besmiri, nuk është se qeveria përdor DPI, por mënyra si është zbatuar ky ndalim. Sepse bazohet vetëm në një urdhër qeverie dhe jo në një vendim gjykate apo ligj të miratuar në Parlament. Shqipëria nuk ka ligje për mbrojtjen e të dhënave personale si vendet e BE-së. 

Franziska del nga biseda me ndjenjën e shqetësimit. Ajo jeton vetë në Shqipëri. Pyetja se si do të përfundojë eksperimenti me TikTok prek edhe atë. 

Mendimi që një qeveri mund të dijë se çfarë kërkon në Google, në cilën faqe është, me kë flet në cilën platformë, apo thjesht të ndërpresë një shërbim, është frikësues, edhe nëse nuk ke çfarë fshehësh. 

Franziska dëshiron të verifikojë, pavarësisht deklaratave të Besmirit, dhe flet përsëri me Dirkun, ekspertin gjerman të IT-së. 

Ai mund të shpjegojë DPI-në teknikisht, por edhe të vlerësojë çfarë nënkupton kjo masë për një demokraci, sidomos për një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE. Në Evropë, përdorimi i DPI-së është shumë i kufizuar dhe i rregulluar. 

Në rastin më të zakonshëm, në një kompani, DPI mund të përdoret për të zbuluar maluere, por vetëm nëse punonjësit janë informuar dhe kanë dhënë pëlqimin. 

Por Shqipëria nuk është një kompani, por një shtet. 

Çfarë ndodh nëse një qeveri përdor teknologjinë DPI? 

Në thelb, kjo i jep mundësinë të kontrollojë dhe rregullojë edhe më shumë se TikTok-un.

Pasi të hapësh “Kutinë e Pandorës” të mbikëqyrjes dhe kontrollit, është shumë e vështirë ta mbyllësh përsëri.  

Gjithmonë do të jetë dikë që do të kërkojë përdorim më të gjerë, për shembull duke thënë: “Në YouTube ka gjëra shumë të këqija që nuk janë të përshtatshme për fëmijët dhe shoqërinë.” 

A ka hapur qeveria shqiptare “Kutinë e Pandorës”? 

A është ndalimi i TikTok një “Kalë Troje” për mbikëqyrjen e qytetarëve? 

Franziska takohet me një gazetar që ka marrë përgjigje, një nga të paktët. Jo vetëm kaq, ai ka zbuluar se Shqipëria ka marrë këtë teknologji nga Izraeli. 

Në mbarë botën ka plot shembuj të skenarëve më të këqij. Mund të thuash gjithashtu se DPI është një mjet i preferuar i autokratëve të çdo lloji. Në Rusi, për shembull. Në nëntor 2019 u miratua një ligj atje që i detyronte ofruesit e shërbimit të internetit të instalonin pajisje DPI. Dy vite më vonë, me këtë u bllokua shfletuesi Tor. Një shërbim për anonimizim, me të cilin mund të hapësh përsëri faqe të bllokuara.

Edhe Recep Tayyip Erdoğan përdor DPI në Turqi, për të vepruar kundër opozitarëve. Edhe ai e bllokoi shfletuesin Tor që në vitin 2016 me anë të DPI, më pas edhe VPN-të. Edhe 'Great Firewall' në Kinë funksionon me teknologjinë DPI. Në Iran, paketat e të dhënave analizohen me DPI dhe kontrollohen për fjalë kyçe si demokraci ose protestë. Me pak fjalë, “crème de la crème” e autokratëve përdor DPI.