Rusia sekuestron asete prej 50 miliardë dollarësh në tri vite: Ekonomia ruse shndërrohet në 'fortesë'

Autoritetet ruse kanë konfiskuar asete me një vlerë totale prej rreth 50 miliardë dollarësh gjatë tre viteve të fundit, një zhvillim që, sipas një studimi të publikuar të mërkurën, dëshmon zhvendosjen e modelit ekonomik të vendit drejt një strukture të “Rusisë fortesë”, në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Kjo periudhë ka qenë e karakterizuar nga një zhvendosje masive e aseteve, pas daljes së kompanive perëndimore nga tregu rus, shpronësimeve të bizneseve të huaja dhe sekuestrimeve të ndërmarrjeve vendase nga shteti.

Në kuadër të kundërpërgjigjes ndaj sanksioneve perëndimore, presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar një sërë dekretësh që autorizojnë sekuestrimin e pronësisë perëndimore në Rusi, përfshirë kompani si Uniper e Gjermanisë dhe Carlsberg e Danimarkës. Përveç firmave të huaja, shumë kompani të mëdha ruse kanë ndërruar pronësi në bazë të pretendimeve ligjore për burime strategjike, korrupsion apo keqmenaxhim.

Sipas firmës ligjore NSP në Moskë, e cila e cilëson këtë valë si “nacionalizim”, ky proces ka përfshirë mijëra kompani dhe ka sjellë përfitime të mëdha financiare për shtetin. Studimi u publikua fillimisht nga e përditshmja ruse Kommersant, që nënvizoi se ky trend përforcon narrativën e një modeli ekonomik të pavarur, të mbyllur dhe të kontrolluar nga shteti.

Rusia dikur aspironte të bëhej pjesë e ekonomisë së lirë globale pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991, por korrupsioni, krimi i organizuar dhe krizat ekonomike në vitet ‘90 minuan shpresat për kapitalizëm demokratik. Në vitet e para të pushtetit, Putin përkrahu iniciativat private dhe udhëhoqi një rritje ekonomike të ndjeshme, por pas vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë, ekonomia u godit fort nga sanksionet.

Megjithëse ekonomia ruse ka sfiduar pritshmëritë që nga nisja e luftës në Ukrainë, në vitin 2024 madhësia e saj nominale mbeti në rreth 2.2 trilionë dollarë, shumë më pak krahasuar me ekonomitë kryesore botërore. Megjithatë, zyrtarët rusë justifikojnë konfiskimet si masa të domosdoshme për mbrojtjen kombëtare dhe zhvillimin e një ekonomie sovrane, të paprekshme nga ndikimi perëndimor.

Rasti më i fundit është përpjekja e prokurorëve për të sekuestruar aksionet shumicë të miliarderit rus Konstantin Strukov në kompaninë e arit Uzhuralzoloto, një sinjal i qartë për zgjerimin e kontrollit shtetëror edhe ndaj biznesmenëve të fuqishëm vendas. Ndërkohë, mbi 1,000 kompani të huaja, përfshirë emra si McDonald’s dhe Mercedes-Benz, janë larguar nga tregu rus që prej shkurtit 2022, duke lënë pas asete të sekuestruara ose të shitura me detyrim.

Rusia duket e vendosur të përqafojë një rrugë të re zhvillimi ekonomik, duke u distancuar nga globalizimi perëndimor dhe duke konsoliduar pushtetin ekonomik në duart e shtetit./ Reuters - Syri.Net