VIDEO/ Gjenerali i 'Guardia di Financa' intervistë për Syri Tv, Quintavalle: Mafia shqiptare dominante

Komandanti i Shërbimit Qendror të Hetimit të Kriminalitetit të Organizuar të Guardia di Finanza Antonio Quintavalle, thotë se mafia shqiptare vepron thuajse në çdo rajon të italisë. Gjatë një interviste për gazetaren e Syri Televizion Alba Kepi, gjenerali thotë se paratë nga trafiku i drogës riciklohen fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Itali.

Dorëzojnë para në një lavanderi apo dyqan kinez, marrin një kupon (shpesh një kartëmonedhë me numër serial), e cila më pas shërben si ‘token’ që një tjetër person e paraqet në një dyqan tjetër në ndonjë vend tjetër të botës për të marrë shumën. Kjo ndodh sepse rrjetet kineze kanë qarkullim të madh parash nga aktivitetet e evazionit dhe dërgesave në atdhe. Nuk ka rajon italian ku një njësi e Gardës së Financës të mos jetë duke hetuar grupe kriminale shqiptare. Këto grupe kanë evoluar sot janë lojtarë global. Ata janë të vlerësuar edhe nga mafiet italiane për shkak të strukturës së tyre të brendshme të ngurtë dhe vertikale, shpesh të lidhur përmes marrëdhënieve familjare, njësoj si mafiet italiane tradicionale. Një organizatë gjithnjë e më e pranishme në Itali dhe në të gjithë Europën. Ka arritur nivelin e mafieve më të rëndësishme italiane dhe kërkon vëmendje maksimale hetimore”.

Mungesën e kapjes së sasive të drogës prej 4 vitesh në Portin e Durrësit, gjenerali ndonëse në mënyrë të kujdesshme lë të kuptojë paaftësinë e autoriteteve shqiptare për ti kapur.

Unë nuk kam të dhëna konkrete për portin e Durrësit. Megjithatë, mund të them që shumë ngarkesa me kokainë që arrijnë në Gioia Tauro kanë destinacion vendet e Ballkanit. Shpesh ne organizojmë dorëzime të kontrolluara për të parë se ku përfundojnë mallrat. Nuk përjashtohet kurrë mundësia që një port të përdoret për trafik."

Gjenerali italian tregon edhe se cilat janë taktikat e grupeve kriminale për të transportuar drogë.

“Në shumicën e rasteve janë shqiptarë që specializohen në nxjerrjen e drogës nga portet. Ata përdorin metodën e quajtur ‘rip-off’, ku futen në porte, hapin kontejnerët e sinjalizuar, marrin çantat me kokainë dhe i zëvendësojnë vulat mbyllëse të kontejnerëve me kopje identike, për të mos ngjallur dyshime gjatë kontrollit doganor. Këto vula vijnë bashkë me çantat me kokainë e gjendet brenda tyre. Një tjetër teknikë është fshehja e kokainës në të ashtuquajturat 'presa detare', që janë hapësira nën trupin e anijes, pra nën nivelin e detit. Aty fshihet kokaina, e cila merret nga zhytës shqiptarë të specializuar, që afrohen me gomone, zhyten nën anije dhe nxjerrin drogën për ta transportuar drejt destinacioneve të paracaktuara."

Për vonesën e masave nga SPAK lidhur me dosjen 'Ura' që goditi Troplinët, por vetëm pasi kaluan zgjedhjet e 11 majit dhe koka e grupit Elvis Doçi nuk u kap dot, Quintavalle shprehet se sa më shpejt të veprojë drejtësia aq më efektive do të ishte ndërhyrja. Teksa për këtë çështje kujtojmë se drejtësia shqiptare veproi 3 muaj pas masave të nxjerra nga prokuroria italiane.

Mafia shqiptare thotë Quintavalle paguan furnizues e punëtorë pa respektuar rregulla, përdor firma fiktive që krijohen vetëm për të qarkulluar para të pista dhe për të shmangur tatimet duke krijuar konkurrencë të padrejtë. Antonio Quintavalle thotë se në kohën kur vendi ynë po bëhet një destinacion turistik atraktiv sipas tij, ka rritur interesin për investime kriminale nga mafia. Por cilët janë sektorët kryesorë ku mafia riciklon më shumë para?

Sot mafia nuk ka më kufij. Riciklon në: naftë, metale, ndërtim, tregti, lojëra fati online, kriptovaluta. Në sektorin e lojërave të fatit, krijon faqe ilegale jashtë vendit që shmangin pagesën e taksave. Përdoren karta parapaguese dhe shumat largohen jashtë vendit. Kriptovalutat janë problem i madh sepse ofrojnë anonimat, përdoren për të blerë drogë, armë e gjithçka tjetër në dark Web”.