Interesat e veçanta të Nju Jorkut do ta shkatërrojnë Zohran Mamdanin

Pavarësisht radikalizmit të tij, programi i Zohran Mamdanit shpesh është po aq i paqëndrueshëm sa avulli që del nga një pusetë në Midtown.

Më shumë ka të bëjë me “atmosferën” sesa me sjelljen e ndonjë ndryshimi real.

Plani i tij për dyqanet ushqimore në pronësi të qytetit, për shembull, është thuajse krejtësisht simbolik, jo një zgjidhje reale ndaj çmimeve të larta që ai dhe ndjekësit e tij pretendojnë se janë normë në tregjet private.

Plani fillestar parashikon vetëm nga një dyqan në secilin nga pesë lagjet e qytetit: Kjo, fjalë për fjalë, nuk mund të bëjë ndonjë ndryshim për shumicën e qytetarëve të Nju Jorkut.

Dhe ato pesë dyqane nuk mund të shërbejnë as si provë serioze, sepse do të ishte një katastrofë për kryetarin e bashkisë nëse ndonjëri prej tyre dështonte.

Shumë domethënës është fakti që Mamdani mburret se Çikagoja ka bërë një “studim fizibiliteti” për dyqanet në pronësi të bashkisë.

Por problemi është se askush nuk mund ta lexojë analizën e Çikagos, sepse drejtuesit e qytetit e kanë lënë në sirtar, pothuajse me siguri sepse zbuluan që supermarketet komunale nuk kanë asnjë shans për sukses.

Në kundërshtim me atë që imagjinojnë socialistët hipi, fitimet në tregjet ushqimore nuk janë të majme, por po aq të holla sa feta proshute: Menaxhimi i një dyqani kërkon përkushtim të vazhdueshëm, jo atë lloj përkujdesjeje të përciptë që i ka dhënë botës shprehjen “mjafton për punë shteti”.

Natyrisht, edhe mënyra se si Mamdani thotë se do të financojë këto dyqane është po aq e ajrosur sa simitet e një karroce kafeje: Ai tha se do të përdorte 140 milionë dollarët që qyteti i jep si subvencione zinxhirëve privatë të ushqimeve, por ekipi i tij i gabuar e keqkuptoi programin “Zgjerimi i tregtisë ushqimore për të mbështetur shëndetin”.

Ato 140 milionë dollarë, në të vërtetë, janë shuma që pronarët privatë të dyqaneve kanë investuar në ekonominë vendore pas marrjes së uljeve më të vogla në taksa, jo para publike që mund t’i ridrejtojë kryetari i bashkisë.

Ky hutim socialist kujton reagimin e përfaqësueses tjetër të DSA-së, Alexandria Ocasio-Cortez, kur Amazon hoqi dorë nga ndërtimi i selisë së re në Queens: Ajo brohoriti se kështu u liruan 3 miliardë dollarë që Nju Jorku mund t’i shpenzonte për shkolla në vend që t’ia falte një korporate.

Por jo: Amazon do të merrte vetëm lehtësime tatimore, si shumë kompani të tjera, nëse krijonte mjaftueshëm vende pune; me marrëveshjen e anuluar, Amazon nuk do të gjeneronte asnjë të ardhur që shteti të kishte ç’taksonte.

Zohrani i çmobilizuar duket se ka të njëjtin mësues matematike si AOC, sepse shifra zero është ajo që ka qyteti në dorë për të paguar për këto dyqane që duken si banka ushqimore të maskuara.

Për më tepër, Mamdani në fakt siguroi fonde për një tjetër projekt pilot, por i humbi, sepse nuk arriti të bashkëpunonte as me demokratët e tjerë.

Heqja e pagesës për autobusët e MTA-s është një nga idetë e tij për ta bërë Nju Jorkun “të përballueshëm”; ai ndihmoi në hartimin e një prove njëvjeçare për transport falas në pesë linja në vitin 2024, për ta parë më pas që Kryetari i Asamblesë, Carl Heastie, e anuloi pa bujë financimin për vitin tjetër pasi Mamdani refuzoi të votonte për buxhetin e shtetit.

Shumë nga programi i Mamdanit, përfshirë kërkesën për 10 miliardë dollarë për të mbuluar shumë iniciativa duke rritur taksat për të pasurit, varet nga miratimi në Albany, dhe ai do të ketë shumë nevojë për mbështetjen entuziaste të Heastie, pasi guvernatorja Kathy Hochul ka thënë tashmë “jo”.

Si do të luftojë Heastie për një njeri që tashmë e sheh si një figurë të lehtë?

Politika në Nju Jork, në nivel shteti dhe qyteti, është e mbushur me interesa të veçanta që kanë lidhje të thella, dhe sektorët publikë (sindikatat, OJQ-të e mëdha) janë shpesh më të pamëshirshëm se sa lobet e pasurive të paluajtshme dhe të biznesit privat.

Zemërimi i votuesve ndaj këtij korrupsioni ishte një nga arsyet kryesore pse Mamdani fitoi në zgjedhjet paraprake, por kjo makineri do ta hajë djaloshin simpatik për drekë, ndërkohë që ai është i zënë duke xhiruar videon e radhës për YouTube. / NY Post - Syri.net