‘Operacion politik i turpshëm’ / Malltezi rrëfen momentin e arrestimit: Më morën pa urdhër, pa identifikim, si në diktaturë
Një ditë pas lirimit nga masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” nga Gjykata e Posaçme, Jamarbër Malltezi, në një intervistë për ‘Top NEWS’, ka dhënë detaje të hollësishme lidhur me momentin e ndalimit të tij dhe mënyrën se si është trajtuar nga autoritetet.
Malltezi ka rrëfyer se është ndaluar në mënyrë të papritur, teksa ishte duke komunikuar në telefon me bashkëshorten.
Ai tha se tre persona, të paidentifikuar dhe pa paraqitur ndonjë dokument zyrtar, i janë afruar duke i kërkuar të shkonte me ta. Sipas tij, asnjë prej tyre nuk u prezantua si oficer policie dhe nuk iu dha asnjë arsye ligjore për shoqërimin.
Malltezi u shpreh se kjo ngjarje është “rrëmbim personi”, ku është marrë me forcë, është futur në një makinë pa targa dhe i është mohuar kontakti me avokatin për më shumë se një orë e gjysmë.
Ai e cilësoi të gjithë operacionin si një akt të paligjshëm që është pjesë e një fushate të qëllimshme politike për të goditur Sali Berishën dhe njerëzit pranë tij.
Deklarata e Malltezit:
"Erdhën ndërkohë që isha duke folur në telefon me time shoqe, erdhën 3 veta pa u identifikuar, thanë: "Do vish me ne." I thashë: "A e keni ndonjë copë letër?" Për fat isha duke folur me time shoqe dhe ajo e mori vesh, ndërkohë priste bagazhin që do dilte në aeroport.
I them time shoqeje: "Po më thënë këto të shkoj me to, por s’e di kush janë." Vjen një i katërt dhe më tërheq telefonin. "Ose, ç’a jeni ju, -ju thashë?" Më kapin për duarsh dhe më thanë: "Do vish me ne.Thërras dy persona që ishin aty e ju thashë: "Filmoni se është rrëmbim personi", por ishin të frikësuar dhe njerëzit..
Më pas më çuan në një makinë pa targa, nuk ishte makinë policie, ku më pas mora vesh se ishte makinë policie civile, pa targa e fenelinë. "Do vish me ne", thanë, e nuk më jepnin celularin.
Ju thashë: "Ore, kjo që po bëni është rrëmbim. Më jepni një copë letër, më jepni celularin!" Derisa shkuam te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e ata donin të firmosja disa letra. Ju thashë: "Nuk firmos asgjë, nuk e di pse më keni marrë, nuk më keni lënë të flas me avokatin apo me njeri tjetër."
Më pas, aty pas një orë e gjysmë më lejuan të flas me avokatin. Në malin e paligjshmërive, kjo është më minimalja.
Kjo është e gjitha fabula për të rrëzuar Berishën".