‘Ne e dëgjojmë britmën e tokës dhe të varfërve, ka arritur në zemrën e Perëndisë’/ Papa Leo: Kriza ekologjike kërkon vështrim kontemplativ!

Papa Leo XIV kremton Meshën e parë për Kujdesin e Krijimit në Fshatin Laudato Si' në Castel Gandolfo dhe i nxit të krishterët të përqafojnë misionin tonë për të sjellë paqe dhe pajtim në botën tonë dhe në të gjithë krijimin.

Mesha u zhvillua në Fshatin Laudato Si', një qendër arsimore e vendosur në rezidencën verore Papale pranë Romës, dhe në të morën pjesë stafi i qendrës.

Në vërejtjet e tij të drejtpërdrejta në fillim të predikimit të tij, Ati i Shenjtë tha se Mesha po kremtohej e rrethuar nga bukuria në “një lloj katedraleje ‘natyrale’”.

Ai vuri në dukje se planimetria e Fshatit Laudato Si', i cili ka një altar në pjesën e përparme dhe një legen uji afër, të kujton kishat e lashta të krishtera, të cilat e vendosnin vaskën e pagëzimit pranë hyrjes, për të simbolizuar që të krishterët kanë kaluar nëpër ujë për t'u pastruar nga mëkatet dhe dobësitë tona.

Papa Leo u ankua për shumë fatkeqësi natyrore që prekin njerëzit në mbarë botën, të cilat “shpesh shkaktohen - të paktën pjesërisht - nga teprimi njerëzor dhe mënyra jonë e jetesës”.

“Duhet të lutemi edhe për kthimin në besim të shumë njerëzve, brenda dhe jashtë Kishës, të cilët ende nuk e njohin urgjencën e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët”, tha ai.

Duke iu referuar tekstit të përgatitur të predikimit të tij, Papa Leo XIV vuri në dukje se vendi i qetë i Fshatit Laudato Si', është në kontrast me ngrohjen globale dhe konfliktet e armatosura që e prekin botën tonë.

«Megjithatë, në zemër të Jubileut ne rrëfejmë: ka shpresë!», tha ai. «E kemi hasur atë në Jezusin, Shpëtimtarin e botës. Ai ende, në mënyrë sovrane, qetëson stuhinë».

Duke reflektuar mbi qetësimin e stuhisë në det nga Jezusi, Papa tha se shëmbëlltyrat e Jezusit për Mbretërinë e Perëndisë shpesh përshkruajnë ritmet e jetës dhe stinët e natyrshme në natyrë.

Duke qortuar erën dhe detin, Jezusi “zbulon fuqinë e Tij të jetës dhe shpëtimit, e cila ngrihet mbi ato forca para të cilave krijesat humbasin”.

Papa Leo tha se misioni ynë si të krishterë për t'u kujdesur për krijimin na është besuar nga Zoti, në mënyrë që të sjellim paqe dhe pajtim në botën tonë të trazuar.

«Ne e dëgjojmë britmën e tokës dhe të të varfërve», tha ai, «sepse ajo britmë ka arritur në zemrën e Perëndisë. Zemërimi ynë është zemërimi i Tij; puna jonë është puna e Tij».

Prandaj, Kisha është e thirrur t’u thotë të vërtetën kombeve, me qëllim që të shndërrojë të keqen në të mirë, padrejtësinë në drejtësi dhe lakminë në bashkësi, meqenëse Kisha dëshmon për “besëlidhjen e pathyeshme midis Krijuesit dhe krijesave”.

Ai kujtoi përqendrimin e Shën Françeskut të Asizit te dashuria e Zotit për të gjithë krijimin, e cila i jep jetë gjithçkaje.

«Vetëm një vështrim kontemplativ mund ta ndryshojë marrëdhënien tonë me gjërat e krijuara dhe të na nxjerrë nga kriza ekologjike e shkaktuar nga prishja e marrëdhënieve - me Zotin, me të afërmin tonë dhe me tokën - që rrjedhin nga mëkati», tha ai.

Papa Leo XIV tha se Papa Françesku donte që Fshati Laudato Si' të ishte "një laborator", në të cilin të mishërohej harmonia me krijimin, duke gjetur mënyra të reja për të mbrojtur natyrën.

Si përfundim, Papa Leo i ftoi të krishterët të përhapnin harmoninë në të gjithë botën, duke u frymëzuar nga Shën Agustini.

"O Zot, veprat e tua të lavdërojnë që të të duam, dhe ne të duam që veprat e tua të të lavdërojnë."/ Vatican News.