'9 vite nga reforma në drejtësi', Braho: SPAK-u i shmang 'dosjet e mëdha', krimi zgjedhor mbetet i paprekur

Ledio Braho, Avokat (i Ervin Salianjit), në një lidhje Skype për emisionin 'Kafe Shqeto', ka komentuar rolin dhe efektivitetin e SPAK-ut pas zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar si një provë të madhe të cilës SPAK nuk i është përgjigjur siç duhet.

Braho theksoi se krimi zgjedhor ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat më serioze për drejtësinë shqiptare, por pavarësisht angazhimit publik të strukturave të posaçme, përfshirë ngritjen e task-forcave me prokurorë të SPAK-ut dhe BKH-së, rezultatet konkrete mungojnë pothuajse tërësisht.

Ai solli në vëmendje faktin se kanë kaluar rreth dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe se i vetmi rast i ndjekur ka qenë ai i një kandidateje të PSD-së në Fier me rreth 100 vota, duke vënë në dyshim vullnetin real për të luftuar krimin zgjedhor.

Braho sugjeroi se drejtësia është shpeshherë e shpërqendruar me çështje dytësore, ndërkohë që dosjet me peshë lihen në hije, qoftë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore apo për shkak të ngarkesës së qëllimshme me çështje të tjera, si ndërtimet pa leje apo vjedhja e energjisë.

"Janë gjetur gjithmonë ngarkesa të caktuara në mënyrë që SPAK apo prokurori të tjera të mos merren me gjërat që duhet të merren. Një herë me vjedhjen e energjisë elektrike, pastaj me drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt, dhe drejtësia është angazhuar me ato çështje që nuk kanë qenë fokusi kryesor ku duhet të përqendrohet drejtësia"- u shpreh Braho.

Ledio Braho:

“Unë e kam thënë gjithmonë që prova e madhe e SPAK ishte zgjedhjet dhe krimi zgjedhor, pra që ta parandalonte krimin zgjedhor e pastaj atë që nuk e parandalonte dot, duhet të kishim disa rezultate tani të paktën, sepse kanë kaluar thuajse 2 muaj nga zgjedhjet e 11 majit dhe nuk kemi ndonjë rezultat përveç një rasti të një kandidateje të PSD me 100 vota në Fier.

Nuk di ndonjë rast tjetër të ketë dalë ndonjë rezultat konkret, kështu që nuk di ç’të them. U ngritën task-forca në të gjitha nivelet, me prokurorë të SPAK-ut, me BKH, por rezultati ishte si të thuash se nuk ka pasur krim zgjedhor në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit.

Meqë jemi në këtë situatë, duhet që të angazhojmë prokurorinë, të çojmë në SPAK disa kallëzime për ndërtime pa leje, për prokurorë, për gjyqtarë, sepse gjithmonë kjo ka qenë qasja.

SPAK ka qenë gjithmonë pa prokuror, pastaj kur vunë ndonjë të tillë filloi historia e OFL dhe u ngarkua me këto çështjet e 20-30-vjeçarit të krimit të organizuar edhe disa të tjera, dhe pati edhe përgatitje.

Janë gjetur gjithmonë ngarkesa të caktuara në mënyrë që SPAK apo prokurori të tjera të mos merren me gjërat që duhet të merren. Një herë me vjedhjen e energjisë elektrike, pastaj me drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt, dhe drejtësia është angazhuar me ato çështje që nuk kanë qenë fokusi kryesor ku duhet të përqendrohet drejtësia.

E njëjta gjë po ndodh edhe tani. Nja një muaj do merremi me historinë e dorëheqjeve apo ndërtimeve pa leje, pastaj do nisin me emërimet e drejtorëve të rinj dhe do nisë rutina në shtator.

Tani sapo pashë një lajm që duhet ta ruajmë e duhet t’ia dërgojmë SPAK-ut, por nuk është SPAK-u drejtësia e shqiptarëve, ai është për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, por shqiptarët nuk e kanë të lidhur jetën e tyre vetëm me korrupsionin e disa politikanëve apo me krimin e organizuar".