Deputetët mblidhen sot në përpjekjen e 44-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish sot mblidhen në përpjekjen e 44-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

Partitë parlamentare nuk po arrrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.

Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.

Në seancën e 7 korriku, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.

Ajo e përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.