VIDEO/ Egnatia triumfon në frymën e fundit ndaj Breidablik, Gruda heroi i natës europiane!

Egnatia ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, duke e nisur me fitore aventurën në Ligën e Kampionëve. Në ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablik, skuadra nga Rrogozhina triumfoi me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar në minutat shtesë nga Ildi Gruda, sulmues që vetëm pak ditë më parë kishte firmosur me klubin.

Goli i Grudës

Takimi u karakterizua nga dominimi i Egnatias dhe nga rastet e shumta të shpërdoruara. Në minutën e 18-të, pas një kombinimi të bukur midis Fangajt dhe Lushkjes, ky i fundit pati mundësinë të zhbllokonte rezultatin, por tentativa iu bllokua dhe më pas Selmani nuk arriti të mposhtte portierin islandez.

Edhe në pjesën e dytë, Egnatia vazhdoi të ushtronte presion, por fati nuk ishte në anën e saj. Bakajoko humbi dy raste të arta në minutat 58’ dhe 62’, ndërsa në minutën e 74-t ishte Poçi që tronditi traversën me një goditje të fuqishme nga distanca. Skuadra rrogozhinase e meritoi fitoren, por portieri kundërshtar dhe shtyllat dukeshin se do ta ndalnin suksesin.

Por kur gjithçka dukej e mbyllur në barazim, në minutën e tretë të shtesës, doli në skenë Ildi Gruda, i cili pas një topi të gjatë nga mbrojtja, kontrolloi bukur dhe me një goditje të saktë mposhti portierin e Breidablik. Një gol që shpërtheu presidentin Demrozi në festë, duke i dhënë Egnatias një avantazh të çmuar për sfidën e kthimit.

Një fitore që i jep shpresë Egnatias për të vijuar ëndrrën europiane dhe që tregon se kjo skuadër është gati të luftojë deri në sekondat e fundit. Gruda, me këtë gol, jo vetëm që firmosi debutimin e tij në mënyrën më të bukur të mundshme, por u bë menjëherë një emër për t’u mbajtur mend nga tifozët rrogozhinas.