SYRI TV/ KE raport kritik për Shqipërinë: U përdorën fondet publike në zgjedhje

Komisioni Europian ka publikuar raportin për shtetin e së drejtës, ku ka adresuar kritika të forta për nivelin e lartë të korrupsionit, presionet politike ndaj drejtësisë, përdorimin e fondeve publike gjatë fushatave zgjedhore, si dhe një sërë çështjesh të tjera. Kritika të ashpra janë drejtuar edhe ndaj punës së Kuvendit, duke nënvizuar mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe polarizimin e thellë politik. Raporti thekson gjithashtu sulmet dhe presionet ndaj mediave dhe gazetarëve.

Në raportin për Shqipërinë, Komisioni Europian ka vënë në dukje presionet e qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, mangësitë e shumta në gjyqësor, nivelin e lartë të korrupsionit, problemet me lirinë e medias, si dhe një sërë shqetësimesh të tjera.

Dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, raporti ndalet në përdorimin e fondeve publike nga Partia Socialiste gjatë fushatës zgjedhore.

Keqpërdorimi i fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore mbetet një shqetësim serioz, pavarësisht iniciativave të ndërmarra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të monitoruar dhe ndëshkuar shkeljet, përfshirë korrupsionin, në lidhje me zgjedhjet legjislative të 11 majit 2025.

Raporti evidenton nivelin e lartë të korrupsionit në vend, duke përmendur disa prej sektorëve më të prekur nga ky fenomen.

Pavarësisht disa përpjekjeve kundër korrupsionit, përfshirë rishikimin e Ligjit për Policinë, Policia e Shtetit mbetet shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit. Transparenca e kufizuar në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht për partneritetet publike-private, përbën një burim të madh shqetësimi. Specializimi në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në prokurim është ende i dobët.

Rreziqet e korrupsionit janë të theksuara në sektorin e shëndetësisë, arsimit, brenda strukturave të policisë, si dhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të cilat konsiderohen zona me rrezik të lartë. Kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit në administratën publike mbeten joefektive.

Reforma në drejtësi, që duhej të ishte një pikë kyçe për avancimin e integrimit të vendit në BE, po rrezikohet nga kapja politike e sistemit. Komisioni Europian i referohet rastit të arrestimit të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pas vendosjes së tij në pranga, SPAK është përballur me presione të shumta politike.

Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar në shkurt 2025 nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shkaktoi reagime të forta nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë. Kjo situatë ngre shqetësime serioze.

SPAK publikoi dy letra ankesash drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin në sigurimin e mbrojtjes dhe sigurisë së personelit të vet gjatë një proteste jashtë ambienteve të SPAK-ut.

Në veçanti, Komisioni Europian ka ngritur shqetësime edhe për Komisionin Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i krijuar me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

Ekzistojnë mangësi serioze në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e këtij komisioni ad hoc parlamentar për thellimin e reformave në qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsion. I krijuar në maj 2024, pa konsensus politik ndërpartiak, komisioni synon të shqyrtojë legjislacionin, strukturat institucionale dhe politikat në tre fusha kryesore: antikorrupsioni, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit.

Raporti vëren mungesë transparence, përfshirjeje dhe metodologjie të qartë. Gjithashtu, paralajmërohet për një mundësi të dublimit të punës tashmë të kryer në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE.

Raporti vë në dukje edhe zvarritjet e proceseve gjyqësore, për shkak të ngarkesës së lartë të çështjeve të prapambetura. Kritikat për Kuvendin janë të përsëritura, duke theksuar mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe polarizimin ekstrem politik.

Së fundi, Komisioni Europian evidenton presionet dhe sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, si një tjetër çështje serioze që kërkon vëmendje të menjëhershme.