'Rrëmbim mandatesh'/ Vasili: Kapja e Gjykatës Kushtetuese, lojë e rrezikshme korporatiste që mbron aferat e qeverisë

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar në emisionin "A Show" me Adi Krasta, u shpreh se qëllimi i manipulimeve ligjore dhe interpretimeve të rreme nga mazhoranca është kapja totale e Gjykatës Kushtetuese, në funksion të mbrojtjes së aferave të qeverisë Rama.

Sipas Vasilit, rasti i gjyqtares Sonila Bejtja është prova më e qartë e këtij komploti institucional, ku pushteti politik ndërhyn drejtpërdrejt për të rrëzuar mandate dhe për të vendosur njerëz të bindur ndaj qeverisë.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si një lojë të rrezikshme korporatiste, e cila ka destabilizuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka shqetësuar edhe vetë Komisionin Europian për pasiguritë juridike në vend.

Fjala e tij:

Në mënyrë të veçantë, sa i përket gjyqtares Bejtja, është shumë e qartë se mendimet e saj në vazhdimësi, në pakicë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, krijojnë një shqetësim madhor. Kjo sepse ato japin bazën për të ngritur dyshime se këto vendime kanë qenë të njëanshme dhe, në 99% të rasteve, kanë shkuar në favor të qeverisë, për të mbyllur aferat e saj.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin e rrëmbimit të mandateve, por me një rrëmbim të vetë Gjykatës Kushtetuese nga grupe të caktuara me interesa korporatiste. Thënë më thjesht: kryetari i Gjykatës së Lartë në njërën anë, presidenti në anën tjetër dhe individë të caktuar ndërtojnë pseudo-interpretime për të krijuar një pazar, ku ata që kontrollojnë lojën të mund të marrin mandatin e dikujt dhe t’ia japin një tjetri fillimisht mikut të tyre dhe më pas mikut të qeverisë.

Në këtë rast, unë e kam quajtur një lojë me “fake vakanca”, por në fakt nuk është aspak një lojë. Është një zhvillim shumë i rrezikshëm, që ka sjellë destabilizim të thellë brenda Gjykatës Kushtetuese, deri në atë pikë sa është bërë shqetësim edhe për Komisionin Europian, i cili ka shprehur zyrtarisht shqetësime për pasiguritë juridike brenda kësaj gjykate.

Loja e rrezikshme e kësaj “korporate” ka shkuar deri aty sa ka sfiduar hapur edhe sistemin politik. Kjo korporatë është mobilizuar duke shpikur interpretime, njëri më absurd se tjetri natyrisht, të prodhuara brenda klientelës dhe grupit të lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera. Loja ka vazhduar edhe me gjyqtaren Sonila Bejtja.

Fatkeqësisht, në këtë çështje është përfshirë, pa e ditur interesin e saktë, edhe presidenti. Dhe çfarë ndodh? Kërkohet shkurtimi i mandatit të zonjës Bejtja pa asnjë arsye të ligjshme. Mandati i saj është një mandat i plotë, i cili i është kaluar nga ish-gjyqtari Besnik Muçi, dhe ajo ka detyrimin ta çojë deri në fund, në vitin 2028.

Gjithçka lidhet me një fakt të vetëm, i cili tregon qartë se kemi të bëjmë me një komplot të mirëmenduar. Përcillet ideja se "ne po e bëjmë këtë për rifreskimin e mandateve". Por Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë: dy gjyqtarët që do të kenë mandate të pjesshme janë ata që zëvendësojnë dy gjyqtarë që përfunduan mandatin në vitin 2017 dhe 2020. Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm kur bëmë këto ndryshime kushtetuese. Aty theksohet qartë se kryetarja aktuale dhe gjyqtari Beçi përfundojnë mandatet e tyre përpara afatit, ndërsa të tjerët mbajnë mandate të plota.