Adrion Pajaziti, zyrtarisht lojtar i Hajduk Splitit, firmos deri në vitin 2029
Mesfushori i talentuar i Kombëtares shqiptare, Adrion Pajaziti, është prezantuar sot si futbollist i ri i Hajduk Splitit, duke bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Pajaziti, i cili më herët ishte pjesë Fulhamit në Premier League-n angleze, ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me klubin kroat, që do ta mbajë të lidhur me Hajdukun deri në verën e vitit 2029.
“Adrion, mirësevjen në Hajduk! Të urojmë shumë fat, suksese dhe paraqitje të shkëlqyera me fanellën e bardhë!” – shkruhet në postimin zyrtar të klubit nga Spliti.
Ky nuk është një ambient i panjohur për 21-vjeçarin, pasi sezonin e kaluar ai ka qenë pjesë e HNK Gorica-s, çka e ka ndihmuar të përshtatet me ritmet e futbollit kroat. Transferimi tek Hajduk pritet të jetë një hap përpara për Pajazitin, i cili shpreson të jetë një element kyç edhe për kuqezinjtë në të ardhmen.