Chiellini bëhet bashkëpronar i LAFC, por mbetet pjesë e Juventusit
Giorgio Chiellini ka zyrtarizuar hyrjen e tij në grupin e pronarëve të klubit amerikan Los Angeles FC, skuadër me të cilën ish-mbrojtësi italian mbylli karrierën si futbollist. Lajmin e ka dhënë vetë Chiellini përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur emocionin për këtë hap të ri në jetën e tij profesionale.
“Jam krenar të njoftoj se prej sot jam zyrtarisht një nga pronarët e LAFC”, shkroi Chiellini në Instagram. “Që nga dita e parë në Los Angeles jam ndier si në shtëpi, i rrethuar nga një energji e veçantë, nga njerëz të vërtetë, vlera të përbashkëta dhe një ëndërr kolektive për të ndërtuar diçka për t’u ndier krenar, brenda dhe jashtë fushës”.
Ish-kapiteni i Juventusit dhe i kombëtares italiane vlerësoi eksperiencën me klubin amerikan si një kapitull të paharrueshëm: “LAFC i tejkaloi të gjitha pritshmëritë: më dha mundësinë të mbyllja karrierën time në mënyrën më të mirë të mundshme dhe menjëherë më pas të nisja rrugëtimin tim të parë si drejtues larg fushës së lojës”.
Chiellini shtoi se ideja për të investuar në klub kishte lindur që vitin e kaluar dhe tani është bërë realitet: “Pikërisht për këtë arsye shpreha dëshirën për të marrë aksione në klub dhe sot më në fund mund ta ndaj këtë me ju”.
Pavarësisht angazhimit të ri në MLS, Chiellini do të ruajë detyrën aktuale si Drejtor i Strategjisë së Futbollit në Juventus, duke konfirmuar përkushtimin e tij ndaj klubit që i dha gjithçka në Evropë.
“Faleminderit LAFC për këtë mundësi! Jam i emocionuar që do të jem pjesë e këtij udhëtimi dhe ky është vetëm fillimi”, përfundoi Chiellini.