SYRI TV/ Ultimatumi i Ramës ndez zemërimin e pronarëve, bizneset në Vlorë protestë kundër kryeministrit

Pronarët e bizneseve në Vlorë kanë protestuar kundër ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike të zëna me karrige e tavolina.

 Ata e cilësuan këtë vendim të paprecedent, që ndodh në mes të sezonit turistik, duke e krahasuar me regjimin e diktaturës. Bizneset i kërkuan shefit të qeverisë që ta pezullojë zbatimin e këtij vendimi deri pas sezonit veror, pasi ky aksion po dëmton turizmin dhe ekonominë lokale.

Pronaret e bizneseve përgjatë zonës turistike të Lungomares në Vlorë kanë protestuar këtë të martë kundër aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike. Ata kanë reaguar ashpër për kërcënimin dhe ultimatumin e kryeministrit Edi Rama dhe kërkojnë pezullimin e këtij urdhri dhe shtyrjen e saj pas sezonit veror, pasi po dëmton rëndë turizmin.

Disa prej bizneseve kanë paralajmëruar mbylljen e aktivitetit në shenjë proteste, nëse nuk merren masa për të ndalur përkohësisht zbatimin e vendimit. Ata e kanë quajtur Ramën “diktator” dhe e kanë akuzuar për hipokrizi, duke kujtuar se uzurpimi i hapësirave publike nuk është një fenomen i ri dhe se vetë ai ka qenë disa herë në këto biznese.
Koha dhe mënyra e zbatimit të këtij vendimi të shefit të qeverisë pas zgjedhjeve, ka ngjallur debat dhe pakënaqësi të gjerë mes sipërmarrësve lokalë.