Ndotja e ajrit mund të kontribuojë në zhvillimin e kancerit të mushkërive te joduhanpirësit

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit, ndotësve të tjerë dhe disa barnave bimore tradicionale mund të kontribuojë në zhvillimin e kancerit të mushkërive te persona me pak ose aspak histori duhanpirjeje, sipas një studimi të ri të botuar në revistën Nature.

Këta faktorë mjedisorë mund të lidhen me mutacione të njëjta gjenetike që zakonisht shkaktohen nga pirja e duhanit dhe që nxisin zhvillimin e kancerit të mushkërive, thanë studiuesit. "Po vërejmë një trend shqetësues: gjithnjë e më shumë persona që nuk pinë duhan po preken nga kanceri i mushkërive, por nuk e kemi kuptuar ende pse," tha bashkautori Ludmil Alexandrov, profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.

Edhe pse përdorimi i duhanit ka rënë në shumë vende, rastet e kancerit të mushkërive te joduhanpirësit po rriten proporcionalisht. Ky efekt është veçanërisht i theksuar tek gratë me prejardhje aziatike dhe më i pranishëm në Azinë Lindore sesa në Perëndim.

Studiuesit analizuan tumoret e mushkërive nga 871 persona joduhanpirës në 28 rajone me nivele të ndryshme ndotjeje, në Afrikë, Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut. Përmes sekuencimit të plotë të gjenomit, ata identifikuan "nënshkrime mutacionale" që veprojnë si gjurmë molekulare të ekspozimeve të kaluara që kanë shkaktuar ndryshime në ADN.

Duke kombinuar të dhënat gjenomike me matjet e ndotjes nga satelitët dhe nga toka, studiuesit vlerësuan nivelet afatgjata të ekspozimit për secilin pjesëmarrës. Ata zbuluan se individët që jetonin në mjedise më të ndotura kishin më shumë mutacione në tumoret e mushkërive, veçanërisht të tilla që nxisin zhvillimin e kancerit. Kishin gjithashtu më shumë nënshkrime mutacionale të lidhura me duhanpirjen, me një rritje 3.9-fish.

Për më tepër, sa më shumë ndotje të ajrit të përjetonte dikush, aq më shumë tumore i gjendeshin në mushkëri. Këto tumore kishin telomere më të shkurtra, kapakët mbrojtës të kromozomeve, një shenjë e plakjes së përshpejtuar qelizore.

Ndërkohë, studiuesit zbuluan se ndikimi i tymit pasiv ishte shumë më i dobët krahasuar me ndotjen e ajrit dhe nuk shkaktonte të njëjtat modele mutacionesh.

Studiuesit analizuan edhe ndikimin e acidit aristoloik, një kancerogjen i pranishëm në disa barna tradicionale kineze. Ata gjetën një nënshkrim mutacional të lidhur me këtë acid pothuajse ekskluzivisht në rastet e kancerit të mushkërive te jo-duhanpirësit në Tajvan. Ata dyshojnë se thithja e substancës mund të jetë faktor ndikues, por theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme.

"Kjo ngre shqetësime të reja për mënyrën se si mjetet tradicionale mund të rrisin pa dashje rrezikun e kancerit," tha bashkautorja Maria Teresa Landi nga Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA. "Por gjithashtu krijon një mundësi për parandalim, sidomos në Azi." / The Hill - Syri.net