Agim Zeka largohet nga Partizani, një kapitull që mbyllet pas një sezoni
Pak ditë përpara sfidës së rëndësishme ndaj Kajlu, në kampin e Partizanit ka ardhur një vendim që shënon fundin e një bashkëpunimi. Agim Zeka, sulmuesi 26-vjeçar, nuk do të jetë më pjesë e “Demave të Kuq”.
Pas një sezoni me 31 paraqitje në Kategorinë Superiore dhe vetëm dy gola të shënuar, klubi dhe lojtari kanë vendosur të ndajnë rrugët me mirëkuptim. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi kryeqytetas, duke falënderuar Zekën për kontributin e dhënë.
Ndonëse aventura e tij me ‘Demat’ nuk solli atë ndikim që pritej në sulmin e të kuqve, Zeka largohet me mirënjohje dhe respekt nga klubi. Tashmë, sulmuesi pritet të nisë një faqe të re në karrierën e tij, ndërsa Partizani fokusohet te përballja e radhës dhe përgatitjet për sezonin e ri.
Postimi i Partizanit:
‘Partizani zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me lojtarin Agim Zeka. Sulmuesi 26-vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim sot kontratën mes tyre.
Partizani dëshiron t’i shprehë mirënjohjen Agim Zekës për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe dhe i uron shumë suksese në karrierë.
Kënaqësi që ishe pjesë e familjes sonë të madhe FK Partizani.’