Protesta për HEC-in/ Vata: Pse Agron Malaj s’i informoi banorët gjatë fushatës? Kërkon t’i heqë lejen kompanisë për t’ia dhënë të vëllait
Deputetja e zgjedhur e PD në Qarkun e Dibrës, Denisa Vata ka ngritur hije dyshimi mbi projektin e ndërtimit të HEC-it në Suç-Kurdari të Klosit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vata shkruan se e gjithë kjo bëhet me qëllimin e vetëm që ish kryebashkiaku i Matit, tanimë deputet i zgjedhur nën siglën e PS, këkron t’i heqë lejen kompanisë Doma, që ka marrë përsipër ndërtimin e HEC-it dhe t’ia kalojë atë vëllait të tij.
‘Mesa duket, halli i vërtetë i Agron Malajt nuk është ndalja e HEC-it, por si t’ia heqë lejen kompanisë Doma dhe t’ia kalojë te vëllai i vet’, shkruan ndër të tjera Vata.
Sipas ligjvënëses së zgjedhur demokrate, asnjë kryetar bashkie nuk ka kompetencë të japë leje për ndërtim HEC-esh, pasi ato jepen nga ministria përkatëse, pra nga ministrja Balluku, me vendim të qeverisë që përfaqëson edhe Malaj.
Vata pyet publikisht Malajn, se përse nuk i ka informuar banorët për lejen e firmosur nga ministrja Balluku në prill 2024, gjatë kohës që bënte fushatë.
Statusi
Mesa duket, halli i vërtetë i Agron Malajt nuk është ndalja e HEC-it, por si t’ia heqë lejen kompanisë Doma dhe t’ia kalojë te vëllai i vet.
Reagim ndaj akuzave të pabaza të deputetit Agron Malaj mbi protestën për HEC-in në Kurdari
Sot, deputeti i sapozgjedhur i mazhorancës, Agron Malaj, ka shpërndarë një reagim duke tentuar të më “fajësojë “ mua për një kontratë që është firmosur nga ministrja e qeverisë së tij, znj. Belinda Balluku, në prill të vitit 2024, për ndërtimin e një HEC-i në zonën Suç–Kurdari.
Për hir të opinionit publik, dua të jem shumë e qartë:
Asnjë kryetar bashkie nuk ka kompetencë të japë leje për ndërtim HEC-esh,por te ndjek hapa te tjer ligjor.
Lejet jepen nga ministria përkatëse, pra nga ministrja Balluku, me vendim të qeverisë që përfaqëson edhe z. Malaj.
Ndaj, meqë Agron Malaj është kaq i shqetësuar për praninë time në protestën e banorëve, i drejtohem me disa pyetje publike, për të cilat ka detyrim t’u përgjigjet qytetarëve të Kurdarisë:
1. Pse nuk i ke informuar banorët për lejen e firmosur nga ministrja Balluku në prill 2024?
Ti ke fituar mandatin në 11 maj. Pra, ndërkohë që fshatarët nuk dinin asgjë për HEC-in, ti ishe duke bërë fushatë, duke mos përmendur asnjë fjalë për këtë projekt që prek drejtpërdrejt jetën e tyre.
2. Meqë je deputet i mazhorancës dhe mik i ministres, a do kërkosh publikisht që znj. Balluku të anulojë këtë leje?
Nëse thua se mbështet protestën, provojeni me vepra: kërkoni sot, si përfaqësues i qeverisë, që të ndalet kjo ndërhyrje në ujërat e banorëve të Kurdarisë.
3. Kush ndërhyri për firmën Doma që të marrë leje në Ministrinë e Energjisë? Kush hyri mik dhe me çfarë influence?
Nëse je i sinqertë me qytetarët, përgjigju: si përfundoi kjo kompani me leje qeveritare pa dijeninë e askujt? Kush e lehtësoi këtë proces?
Deputeti i sapozgjedhur bën një përpjekje të zbehtë për të më sulmuar personalisht, me shpresën se do të zhvendosë vëmendjen nga faktet konkrete dhe përgjegjësitë reale që qëndrojnë në krahun e tij politik.
Por banorët e Kurdarisë nuk mashtrohen. Ata e dinë shumë mirë kush u ka qëndruar pranë me zë të fortë dhe pa frikë, dhe kush u kujtua për ta vetëm pasi u përmend në media.Une nuk kam nevoje per flete lavderimi,thjesht dua qe halli i banoreve te Kurdarise te zgjidhet.
Unë nuk kam ardhur aty për t’u marrë me pushtetin, por për të qëndruar me njerëzit.
Nëse kjo e shqetëson dikë, është sepse e vërteta nuk u shkon për shtat.
Dhe për hir të transparencës së plotë, në vend që të shpikë akuza për të tjerët, z. Malaj do ishte më mirë të shpjegonte vetë se si është dhënë leje për një tjetër HEC ku përfshihet vëllai i tij, në kushte të qarta konflikti interesi.
Se për çështje të tilla, qytetarët nuk kanë nevojë për zhurmë, por për përgjigje.