Ventilatori nuk po ju ndihmon në këto temperatura të larta?/ Ndoshta po e përdorni gabim, ja zgjidhja

Edhe pse shumica e shtëpive janë të pajisura me kondicionerë, ka ende raste ku përdorimi i një ventilatori mbetet i domosdoshëm për të përballuar temperaturat e larta, sidomos në fshatra dhe vila malore, ku nxehtësia ka qenë më e rrallë deri vonë. Në këto ambiente, shpeshherë ventilatori është i vetmi mjet ftohës.

Nëse largohemi nga Mesdheu dhe flasim për vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore, ku vala e fundit e të nxehtit ka shkaktuar dhjetëra viktima, vendosja strategjike e ventilatorit bëhet ‘pyetja me një milion dollarë’. Kjo sepse përqindja e familjeve me kondicioner në vende si Italia Veriore apo Franca Qendrore është e ngjashme me atë që kishte rajoni ynë në vitet '90.

Një artikull francez i publikuar në faqen jeuxvideo.com liston disa nga gabimet më të zakonshme gjatë përdorimit të ventilatorëve.

Vendosja e një cope të lagur përpara ventilatorit. Ky është një truk i vjetër që synon të rrisë lagështinë në dhomë, por në realitet bllokon rrjedhën e ajrit dhe e bën pajisjen pothuajse të padobishme. Një alternativë shumë më efektive është vendosja e shisheve me ujë të ngrirë përpara ventilatorit, kështu ajri qarkullon dhe freskohet pa humbur fuqinë.

Gabim tjetër i zakonshëm është përdorimi i ventilatorit kur temperatura është mbi 40°C. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në këto kushte, ventilatori jo vetëm që nuk ndihmon, por mund të përkeqësojë ndjesinë e nxehtësisë.

Një tjetër kurth i zakonshëm, ndjesia e freskisë që krijon ventilatori na bën të harrojmë të pimë ujë. Në fakt, ventilatorët përshpejtojnë avullimin e djersës dhe mund të çojnë në dehidrim. Prandaj, është e rëndësishme të pimë ujë shpesh, edhe kur nuk kemi etje.

Në shumë raste, sfida kryesore nuk është ftohja e dhomës, por freskimi i ajrit brenda saj. Nëse gjatë natës dhoma është më e ngrohtë se jashtë, qëllimi është të largoni ajrin e nxehtë dhe të sillni sa më shumë ajër të pastër.

Zgjidhja është që duhet të vendosni ventilatorin përballë një dritareje të hapur, me fytyrë nga jashtë, dhe hapni një dritare tjetër në anën tjetër të shtëpisë. Kjo ndihmon në nxjerrjen e ajrit të nxehtë dhe krijon qarkullim të ajrit të freskët.

Në rastin e kundërt, kur ajri në dhomë është më i freskët se jashtë, gjeni dhomën më të freskët të shtëpisë (zakonisht banja ose garazhi), dhe me ndihmën e një ose më shumë ventilatorëve, drejtoni ajrin e freskët drejt hapësirave të tjera.

Me pak kreativitet dhe vendosje të mirë të ventilatorëve, është e mundur të përballoni më lehtë temperaturat përvëluese edhe pa kondicioner.