Fluminense sfidon Chelsea-n: Nuk kemi ardhur thjesht për të marrë pjesë
Fluminense është gati për sfidën më të madhe të këtij sezoni, përballjen me Chelsea-n në gjysmëfinalen e Botërorit për Klube, që do të luhet të martën në orën 20:00, në "MetLife Stadium" të New Jersey-t. E vetmja skuadër joeuropiane në katërshen më të mirë, Fluminense ,nuk ka ndërmend të ndalet.
“Nuk kemi ardhur këtu vetëm për të marrë pjesë, por për të fituar”, deklaroi trajneri Renato Gaúcho, i cili theksoi se ekipi i tij ka surprizuar skeptikët që nuk besuan në suksesin e tyre jashtë Brazilit. “Synimi ynë është i njëjtë me atë të Chelsea-t: të arrijmë në finale”, shtoi ai.
Tekniku brazilian pranoi epërsinë ekonomike të rivalëve, por theksoi se gjithçka vendoset në fushë. Ai vlerësoi sidomos repartin ofensiv të londinezëve, duke paralajmëruar kujdes maksimal për të mos u lënë hapësira sulmuesve.
Një nga armët më të rëndësishme të Fluminense është Thiago Silva, ish-mbrojtësi i Chelsea-t. “Ai është një udhëheqës i vërtetë në fushë, një lojtar i madh që ka eksperiencën e duhur për këto ndeshje”, u shpreh Gaúcho.
Në fund, ai theksoi edhe rëndësinë e trajnerëve brazilianë, duke i bërë thirrje opinionit të vlerësojë më shumë punën dhe fleksibilitetin e tyre taktik. “Nuk kam blerë trofe, i kam fituar me punë”, përfundoi Gaúcho.
Fluminense kërkon të bëjë historinë dhe të kualifikohet për herë të parë në finalen e Botërorit për Klube.