SYRI TV/ MIK FESTIVAL, homazh të rrallë për Gaqo Çakon, Inva Mula këndon për herë të parë me të birin
MIK Festival rikthen në Korçë me surpriza që ndërthurin traditën dhe bashkëkohësinë. Festivali i bën një homazh të veçantë lirikut më të madh të vokalit shqiptar Gaqo Çakos, ku sopranoja Inva Mula do të interpretojë në fund të mbrëmjes me të birin. Edicioni i këtij viti sjell për herë të parë në skenë serenatat e vjetra, të kënduara nga artdashës, që kanë dëshiruar gjithmonë të performojnë, në funksion të misionit për të edukuar breza përmes artit.
Korça do të mirëpresë një nga ngjarjet kulturore të edicionit të 8-të të MIK Festival, nën drejtimin artistik të sopranos me famë ndërkombëtare Inva Mula. Më 11 korrik, në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, do të zhvillohet një koncert-homazh për një prej figurave më të mëdha të vokalit shqiptar, Gaqo Çako, në 90-vjetorin e lindjes së tij. Në konferencën për shtyp të mbajtur pak ditë para nisjes së festivalit, Inva Mula ndau me publikun dhe mediat surprizat që rezervon ky edicion, duke theksuar vlerën e kujtesës artistike, si dhe emocionet personale që mbartin disa nga netët e këtij viti.
Në mbrëmjen e 11 korrikut, do të interpretojnë emra të njohur të skenës shqiptare si Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhielden Dervishi, Tatjana Kora Elmazi dhe artistë të Orkestrës së Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço. Homazhi për Gaqo Çakon do të jetë një ndërthurje e elegancës vokale me përkushtimin shpirtëror, duke rikthyer në skenë frymën e një epoke të artë të interpretimit operistik shqiptar. Kulmi emocional i kësaj mbrëmjeje pritet të jetë performanca përmbyllëse, ku vetë Inva Mula do të interpretojë së bashku me të birin, që simbolizon vazhdimësinë e një trashëgimie familjare, por edhe lidhjen intime mes muzikës dhe shpirtit.
Ndërsa një ditë më pas, në Dardhë, balerini i mirënjohur Eno Peçi do të jetë pjesë e koncertit gala “Vienna Style”, një tjetër pikë kulmore e festivalit.
Misioni i MIK Festival mbetet të edukojë breza përmes artit dhe të ruajë trashëgiminë kulturore. Për herë të parë këtë vit, festivali rikthen në skenë serenatat e vjetra të Korçës, të interpretuara nga ata që kanë dashur gjithmonë të jenë pjesë e saj, duke i dhënë zë kujtimeve dhe pasioneve që nuk kanë reshtur kurrë.