Rekordi i Lamine Yamal rrëzohet pas më pak se një viti, Gilberto Mora shkruan historinë me Meksikën
Pak më shumë se një vit pas vendosjes së një rekordi historik, Lamine Yamal nuk është më lojtari më i ri që fiton një trofe ndërkombëtar me një kombëtare. Rekordi i talentit të Barcelonës, që dukej i pathyeshëm pas barazimit dhe tejkalimit të arritjes së legjendës Pelé, është rrëzuar nga një tjetër ‘yll’ në ngjitje: Gilberto Mora, talent 16-vjeçar i Meksikës.
Yamal, një sezon magjik dhe një rekord historik
Lamine Yamal pati një sezon fantastik me Barcelonën, duke shënuar 21 gola dhe dhënë 22 asistime, çka e vuri atë në mesin e kandidatëve për Topin e Artë. Në moshën 17 vjeç e 1 ditë, ai fitoi Kampionatin Evropian me Spanjën, duke u shpallur edhe Lojtari i Ri më i Mirë i Turneut, dhe duke kaluar rekordin e famshëm të Pelé, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 1958 në moshën 17 vjeç e 249 ditë.
Por rekordi i tij zgjati pak...
Në finalen e Gold Cup të CONCACAF-it, të zhvilluar në Houston, Texas, Meksika mposhti SHBA-në 2-1 falë golave të Raul Jimenez dhe Edson Alvarez, duke ngritur trofeun. Por vëmendja u përqendrua te një emër i ri: Gilberto Mora, i cili në moshën 16-vjeçare ishte titullar në finalen e turneut dhe e fitoi atë, duke u bërë lojtari më i ri në histori që fiton një trofe ndërkombëtar me kombëtaren e tij.
Mora kishte debutuar pak ditë më parë kundër Arabisë Saudite në çerekfinale, duke vendosur rekordin si debutuesi më i ri në historinë e Meksikës, ndërsa në gjysmëfinale ndaj Hondurasit regjistroi edhe një asist.
Talent i jashtëzakonshëm edhe në klub
Gilberto Mora nuk është i panjohur as në futbollin e klubeve. Me Tijuana-n, ai është bërë lojtari më i ri që ka shënuar dhe asistuar në Liga MX, duke e bërë këtë në moshën 15-vjeçare.
Trajneri i kombëtares meksikane Javier Aguirre u shpreh:
“Ai po shkruan histori. Mora ka një mentalitet të jashtëzakonshëm, është një aset i çmuar për ne. Është i edukuar, i përulur dhe i etur për të mësuar. Kaloi me sukses provën në debutimin e tij.”
Kështu, një kapitull i ri është shkruar në historinë e futbollit ndërkombëtar me emrin Gilberto Mora, ndërsa Lamine Yamal mund të ngushëllohet me faktin se rekordi i tij u rrëzua vetëm nga një tjetër gjeni i ri.