'Pse hesht drejtësia për Ramën?'/ Neza: Firmat e tij janë në dokumentet për të cilat akuzohen Berisha dhe Malltezi
I ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon, gazetari Sami Neza ngriti një pikëpyetje të fortë mbi standardin e drejtësisë në Shqipëri.
Sipas tij, pavarësisht se Edi Rama ka firmosur dokumente që lidhen drejtpërdrejt me çështjen për të cilën akuzohen Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, ai nuk është thirrur kurrë në hetim.
Neza theksoi se drejtësia po vepron në mënyrë të njëanshme, duke shmangur qëllimisht përgjegjësinë politike dhe ligjore të Kryeministrit, ndërkohë që procedurat ndaj Malltezit po zvarriten prej vitesh, edhe pse dokumentacioni është i plotë dhe i qartë.
Pjesë nga intervista:
Duhet pasur parasysh kronika e çështjes Malltezi nga viti 2014 e deri më sot. Ndërkohë, kjo duhet kombinuar edhe me kronikën e proceseve hetimore që kanë shoqëruar këtë situatë.
Së pari, Malltezi është denoncuesi i parë i një prej skandaleve më të mëdha ndoshta skandalit më të madh financiar dhe ekonomik ai i inceneratorëve. Askush nuk e kishte kuptuar më parë skenarin e inceneratorëve, përveç z. Malltezi. Kjo për shkak të formimit të tij akademik, dhe ai ia doli ta shpjegonte pa asnjë cenzurë, por edhe në mënyrë të kuptueshme, skemën se si ishte realizuar komploti i inceneratorëve ndaj ekonomisë dhe buxhetit të vendit.
Që nga ajo kohë, natyrisht, pritej një përgjigje nga qeveria dhe instrumentet shtetërore të ndërtuara prej saj. Kjo ishte fillesa, premisa e parë që e vuri në shënjestër Malltezin. Kronika e hetimit ndaj z. Malltezi mund të ndahet në dy pjesë: e para lidhet me padinë për falsifikim të dokumenteve të pronës, e cila është depozituar në SPAK në vitin 2020.
Është krejtësisht e palogjikshme që një hetim i tillë të zgjasë 2–3 vite, ndërkohë që prokuroria ka pasur në dispozicion dokumente të mjaftueshme dhe shtigje të qarta për të verifikuar nëse kishte apo jo falsifikim. Prokuroria u nis në rrugë të gabuar “i ra gjatë” në vend që “t’i binte drejt”, duke konsultuar fletoret zyrtare.
Përmes fletoreve zyrtare, një këqyrje disa ditore e hetuesve do të mjaftonte për të verifikuar nëse kishte apo jo falsifikim. Megjithatë, ata hetuan për 2–3 vite, vetëm që të përgatitnin ekzekutimin e urdhrit të arrestit ndaj z. Malltezi. Urdhri i arrestit erdhi pas nisjes së hetimit për pjesën e dytë të çështjes, që lidhet me akuzën për korrupsion aktiv dhe pasiv me ish-kryeministrin e asaj kohe, z. Sali Berisha, njëkohësisht edhe vjehrri i Malltezit.
Pjesa e dytë e hetimit lidhet vetëm me z. Berisha, ndërsa Malltezi është përfshirë aty vetëm për të forcuar akuzat ndaj tij. Vetëm duke u nisur nga kronika, mund të nxjerrim në pah deficitin e një procesi afatgjatë, i cili po shkon drejt vitit të pestë, ndërkohë që prokuroria, nëse do t’i referohej vetëm ligjit, mund të kishte dhënë një përgjigje për falsifikimin brenda pak ditësh. Sa i përket çështjes së korrupsionit aktiv apo pasiv në rastin e z. Berisha, hetimi mund të kishte avancuar ndjeshëm.
Kjo çështje nuk është zgjidhur ende, sepse ka një person kyç që ende nuk është thirrur në hetim dhe ai person mund të jepte shumë informacion. Bëhet fjalë për kryeministrin Rama, i cili në atë kohë ishte kryetar bashkie dhe ka firmosur disa dokumente që lidhen drejtpërdrejt me akuzat ndaj z. Berisha.