Si hoqi dorë Europa nga mbrojtja e vet dhe përfundoi duke iu lëpirë Donald Trump-it

Nga Robin van Lonkhuijsen/EPA - The Conversation/

Gjuha e liderëve europianë ishte përulëse dhe servile. Në një moment, madje edhe kreu i NATO-s, Mark Rutte, e quajti Donald Trump-in “babi”. Por kur presidenti amerikan u largua nga samiti i NATO-s në fund të qershorit, pati një psherëtimë lehtësimi që ai nuk kishte bërë më shumë kritika ndaj aleancës.

Pas muajsh presioni amerikan, vendet anëtare të NATO-s, me përjashtim të Spanjës, ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Trump e quajti këtë “lajm shumë të madh” dhe madje e konfirmoi sërish angazhimin e tij ndaj nenit 5 të NATO-s, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjithëve.

Si përfundoi Europa në një pikë ku nuk është më në gjendje të mbrojë veten dhe detyrohet t’i lëpihet presidentit amerikan?

Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i qeverisjes së BE-së, emëroi për herë të parë një komisioner për mbrojtjen vetëm në dhjetor të vitit 2024. Nuk ka një ushtri të BE-së, dhe nuk ka konsensus nëse shtetet demokratike ndonjëherë do të lejonin që një e tillë të ndërtohej.

Por, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ambiciet për një politikë të përbashkët mbrojtjeje europiane ishin shumë më të mëdha, siç shpjegon Ana Juncos Garcia, profesore e politikës europiane në Universitetin e Bristol-it në Mbretërinë e Bashkuar:

“Ekzistonte ideja për të krijuar një Komunitet Europian të Mbrojtjes i cili do të bashkonte kompetencat në nivel kombëtar në një nivel europian, duke krijuar një organizatë supranacionale me ministrin e vet të mbrojtjes dhe një komitet ushtarak të vetin.”

Kjo nismë dështoi në vitin 1954 kur Asambleja Kombëtare Franceze refuzoi ratifikimin e traktatit, dhe përparimi drejt një strategjie të përbashkët europiane të mbrojtjes ngeci. NATO, e themeluar në vitin 1949, u bë aleanca ushtarake kryesore për mbrojtjen e Europës, me SHBA-në si garantuesin kryesor të saj.

Që nga ajo kohë, BE-ja ka tentuar të balancojë nevojën për të ruajtur marrëdhënien transatlantike me përpjekjet për të organizuar dhe siguruar kapacitete të veta të mbrojtjes në mënyrë të koordinuar.