Zjarr në malin Vastak në Dukat, helikopteri vjen në ndihmë pas dështimit të ndërhyrjes nga toka, flakët jashtë kontrollit

Zjarr i fuqishëm ka përfshirë malin Vastak në fshatin Dukat duke dalë jashtë kontrollit të autoriteteve lokale. Pavarësisht orëve të tëra përpjekjesh nga strukturat vendore të emergjencës, flakët nuk janë vënë nën kontroll, për shkak të përhapjes së shpejtë dhe terrenit të vështirë malor.

Ndërhyrja nga toka është vlerësuar e pamundur, pasi terreni i thepisur dhe rreziku i lartë kanë penguar forcat zjarrfikëse të depërtojnë deri në vatrat aktive të zjarrit.

Si pasojë, emergjencat civile pranë Bashkisë Vlorë kanë bërë një kërkesë urgjente për ndërhyrje nga ajri. Pasditen e sotme në zonë ka mbërritur një helikopter, i cili ka nisur fluturimet mbi vatrat e zjarrit. Mjeti ajror ka filluar hedhjen e ujit përmes ajrit në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të shmangur dëme më të mëdha në sipërfaqet me pyje dhe kullota.

Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin zhvillimet në terren me prioritet të lartë. Banorëve u bëhet thirrje të shmangin zonat e rrezikut dhe të bashkëpunojnë me autoritetet në rast evakuimi të mundshëm.