Mosha dhe pjelloria: Çfarë duhet të dini nëse po mendoni të bëheni prindër

Nëse po mendoni të bëheni prindër, është e rëndësishme të kuptoni se pjelloria nuk mbetet konstante gjatë gjithë jetës – as për gratë, as për burrat. E ashtuquajtura "orë biologjike" nuk është vetëm një mit që prek gratë; ajo ndikon edhe te burrat, megjithëse në mënyra të ndryshme.

Gratë lindin me një numër të caktuar vezësh, dhe me kalimin e viteve ky rezervuar natyror fillon të pakësohet. Pjelloria është në kulmin e saj në fillim të të njëzetave, ndërsa ekspertët rekomandojnë që mosha më e përshtatshme për të mbetur shtatzënë është midis 20 dhe 30 vjeç.

Pas moshës 32 vjeç, pjelloria fillon të ulet ndjeshëm, ndërsa pas moshës 37 vjeç kjo rënie bëhet edhe më e theksuar. Pas të 40-ave, mundësia për të ngjizur një fëmijë zvogëlohet ndjeshëm, dhe pas menopauzës – që zakonisht ndodh rreth të 50-ave – mbetja shtatzënë bëhet thuajse e pamundur.

Sipas studimeve, një grua midis moshës 19 dhe 26 vjeç ka rreth 50% mundësi për të mbetur shtatzënë gjatë ditëve më pjellore të ciklit menstrual. Kjo përqindje bie në rreth 33% për gratë midis 35 dhe 39 vjeç.

Ndryshe nga gratë, burrat nuk kanë një kufi të prerë biologjik për pjellorinë. Ata mund të prodhojnë spermë gjatë gjithë jetës, por cilësia dhe sasia e saj fillon të bjerë me kalimin e moshës. Kjo mund të shkaktojë vështirësi në ngjizje, por edhe të rrisë rrezikun për probleme të mundshme shëndetësore te fëmija.

Studimet tregojnë se pas moshës 40-vjeçare, mundësia e një burri për të bërë fëmijë bie me rreth 30%. Megjithatë, çdo mashkull mbi moshën 20 vjeç ruan potencialin biologjik për t’u bërë prind.

Sa kohë zgjat ngjizja?

Për çiftet e reja në kulmin e pjellorisë, koha mesatare për të mbetur shtatzënë është rreth 4 muaj e gjysmë. Ndërsa për çiftet mbi 40 vjeç, kjo periudhë mund të zgjatet deri në dy vjet.

Të dhënat janë publikuar në revistën shkencore Human Reproduction dhe theksojnë qartë rëndësinë që ka mosha – si për gratë, ashtu edhe për burrat – në krijimin e një jete të re.