Studimi: Bakteret e zakonshme që gjenden në stomak s’kanë simptoma, por mund të shkaktojnë 12 milionë raste me kancer

Studiuesit thanë se programet për të kontrolluar dhe trajtuar shpejt njerëzit për një bakter të zakonshëm, mund të zvogëlojnë numrin e rasteve të pritura të kancerit të stomakut deri në 75 përqind.

Një studim i ri sugjeron se një bakter i zakonshëm që gjendet në stomak, mund të shkaktojë gati 12 milionë raste të kancerit tek njerëzit e lindur gjatë një dekade të vetme.

Gjatë jetës së tyre, 15.6 milionë njerëz të lindur midis viteve 2008 dhe 2017 pritet të zhvillojnë kancer në stomak - dhe 76 përqind mund të shkaktohet nga bakteret Helicobacter pylori, sipas studimit të botuar në revistën Nature Medicine.

Kanceri i stomakut është kryesisht i parandalueshëm, por prognoza është e dobët pasi pacienti diagnostikohet. Është forma e pestë më e zakonshme e kancerit në mbarë botën, duke vrarë rreth 770,000 njerëz në vit.

Infeksioni kronik me H. pylori është një shkak kryesor dhe ndihmon në shpjegimin e rritjes së kancerit të stomakut tek të rinjtë në vitet e fundit, zbuloi studimi.

Shumica e njerëzve infektohen me H. pylori që në fëmijëri dhe mund të jenë të infektuar për vite me radhë pa e ditur, sepse infeksioni nuk shkakton simptoma. Por mund të shkaktojë edhe ulçera se inflamacion në mukozën e stomakut.

Bakteret mund të përhapen nga goja, për shembull me puthje, ose nëpërmjet kontaktit me të vjellat ose jashtëqitjen.

Ku do të rriten rastet e kancerit të stomakut

Studiuesit nga agjencia e kërkimit të kancerit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), analizuan të dhënat e kancerit të stomakut nga 185 vende në vitin 2022.

Ata parashikuan se sipas trendeve aktuale, 11.9 milionë njerëz mund të diagnostikohen me kancer të stomakut që i atribuohet infeksionit H. pylori deri në vitin 2101, që është viti kur dikush i lindur në vitin 2017 do të mbushte 84 vjeç.

Shumica dërrmuese e rasteve të kancerit të stomakut të lidhura me bakteret - 8 milionë - priten në Azi. Rreth 471,000 raste të tjera parashikohen në Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Norvegji dhe Islandë.

Barra e kancerit të stomakut po ndryshon gjithashtu globalisht. Ndërsa Afrika Sub-Sahariane aktualisht ka relativisht pak raste, studiuesit presin që rastet e kancerit të stomakut të lidhura me H. pylori të rriten në 1.4 milion deri në vitin 2101 - gjashtë herë më e lartë se norma në vitin 2022 - për shkak të plakjes dhe ndryshimeve të popullsisë.

“Me ndryshimet demografike që pritet të rrisin barrën e kancerit gastrik në shumë pjesë të botës, ekziston një nevojë urgjente për strategji të koordinuara parandaluese dhe që sistemet shëndetësore rajonale të jenë të përgatitura për të menaxhuar barrën në rritje”, tha Dr. Jin Young Park, një nga bashkautorët e studimit dhe kreu i ekipit të parandalimit të kancerit gastrik në Agjencinë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) të OBSH-së.

Studimi ka disa kufizime, veçanërisht cilësia e dobët e të dhënave në vendet me të ardhura të ulëta, gjë që mund ta bëjë më të vështirë bërjen e parashikimeve të sigurta.

Por studiuesit thanë se të dhënat janë mjaftueshëm të qarta që autoritetet shëndetësore në të gjithë botën të ndërmarrin veprime.

Ata u bënë thirrje vendeve të investojnë në nisma për të depistuar dhe trajtuar shpejt njerëzit për infeksionin H. pylori. Analiza e tyre tregon se programe të tilla mund të zvogëlojnë numrin e rasteve të pritura të kancerit të stomakut deri në 75 përqind.

“Është thelbësore që autoritetet shëndetësore ta bëjnë parandalimin e kancerit gastrik një përparësi dhe të përshpejtojnë përpjekjet për ta kontrolluar atë”, tha Park./ Euronews.