Zyrtare/ Francesco Farioli emërohet trajner i ri i Portos
Porto ka konfirmuar sot zyrtarisht emërimin e Francesco Fariolit si trajner i ri i skuadrës, duke i dhënë fund pritjes pas largimit të argjentinasit Martin Anselmi. Trajneri italian ka firmosur një kontratë dyvjeçare, duke marrë përsipër drejtimin e skuadrës që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e tretë në kampionatin portugez, 11 pikë larg kampionëve të Sportingut.
Farioli, 36 vjeç dhe me origjinë nga Toskana, ishte i lirë që nga mesi i majit, kur ndërpreu bashkëpunimin me Ajaxin. Ai nuk arriti të fitonte titullin në Eredivisie, pavarësisht se kishte një avantazh prej 9 pikësh pesë javë para përfundimit të kampionatit.
Më herët, ai ka drejtuar edhe Nice në Francë gjatë sezonit 2023–2024, ndërsa karriera e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin evropian.
Presidenti i Portos, André Villas-Boas, e prezantoi trajnerin e ri duke u shprehur:
"Farioli është një trajner i ri, por jashtëzakonisht ambicioz, me një karrierë shpërthyese në futbollin evropian."
Vetë Farioli, në fjalët e para si trajner i Portos, deklaroi:
"Kam një dëshirë të madhe për ta rikthyer Porton aty ku e meriton të jetë."
Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe një përpjekje e re nga ana e Portos për t’u rikthyer fuqishëm në garën për titullin kampion në Portugali.