SYRI TV/ Garda mbron Ramën në Vlorë nga 2 gra, Thanasi: Nuk më linin të takoja Ramën

SYRI TV

E moshuara që u përlesh me Gardën për tu ankuar te kryeministri Edi Rama, është 82-vjeçarja Katina Thanasi. Syri Tv foli me të moshuarën, e cila tregon se Garda nuk lejonte që ajo të afrohej dhe e mbanin me forcë larg. Ajo tregon se problemi i saj është mospastrimi i një kanali afër shpisë, që gjatë verës mund të rrezikojë marrjen e flakës për shkak të shkurreve të dendura. 

Katina Thanasi është 82-vjeçarja, të cilën punonjësit e Gardës e shtynin me forcë për të mos iu afruar kryeministrit Edi Rama. E moshuara jeton në një lagje të Vlorës, dhe problemi për të cilën ajo ankohet ishte sa personal aq edhe për komunitetin.

Syri Tv foli me të moshuarën që u përlesh me gardën në kërkim të një zgjidhje për problemin e saj, që kishte të bënte me pastrimin e një kanali kullues që kalon pranë banesës së saj. Ajo tregon se për dy vite e gjysmë është refuzuar që t’i zgjidhet problemi, ndërsa sot iu desh të përleshej me Gardën që shqetësimin ta çonte deri tek kryeministri.

E moshuara shprehet se ka frikë nga rënia e zjarrit e që mund t’i marrë jetën asaj dhe bashkëshortit të sëmurë. Por në fund sërish mbetet vetëm shpresa nëse këtë herë do të veprohet për zgjidhjen e problemit të saj

Ndërsa 82-vjeçarja Katina Thanasi mori një përgjigje pozitive, zonja tjetër që u mbajt me forcë nga Garda larg kryeministrit, deri më tani ka marrë vetëm refuzimin arrogant nga shefi i ekzekutivit.