SYRI TV/ Zhduken çezmat publike në Tiranë, qytetarët: Çezmat publike, të domosdoshme
Edhe pse temperaturat e larta po dominojnë prej ditësh, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës nuk marrin as mundimin më të vogël për t’u ardhur sadopak në ndihmë qytetarëve. Në një vëzhgim të kryer nga Syri TV, vihet re se në kryeqytet mungojnë çezmat publike. Madje edhe ato që u vendosën 10 vite më parë nga ambasada e Kuvajtit, tashmë janë zhdukur. Vetë qytetarët shprehen se ato janë të domosdoshme në këtë stinë të nxehtë vere, por askush nuk kujtohet për to.
Të shpëtosh nga temperaturat e larta në Tiranë, në këto ditë të nxehta të korrikut, është një mision i pamundur. Kjo sepse në kryeqytet mungojnë edhe mënyrat alternative që mund t’u vinin sadopak në ndihmë qytetarëve apo turistëve çezmat publike. Para 10 vitesh, falë një donacioni të ambasadës kuvajtiane, në kryeqytet u vendosën 10 çezma publike, të cilat kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i reklamoi si një premtim të mbajtur. Sot, pas 10 vitesh, asnjë prej këtyre çezmave publike nuk ekziston.
Në një vëzhgim të kryer nga Syri TV, vihet re se në Tiranë nuk ka asnjë çezmë publike me ujë të pijshëm. Ata që e vuajnë më shumë këtë fakt janë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm. Këta të fundit shprehen se një zgjidhje e tillë është e domosdoshme në këto ditë të nxehta, por edhe këtë herë, Bashkia i ka lënë në harresë.
Rritja e betonizimit dhe ulja e hapësirave të gjelbërta e kanë bërë Tiranën një nga qytetet më të nxehta, ndërkohë që mungesa e zgjidhjeve të tilla për t’u freskuar në këto ditë të nxehta e bën edhe më të vështirë jetesën për banorët e kryeqytetit.