SYRI TV/ Farsa elektorale, Berisha paralajmëron protesta: Do mobilizojë qytetarët në një lëvizje të fuqishme

Lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi mobilizimin e qytetarëve në një lëvizje të fuqishme për rrëzimin e narkodiktaturës së ndërtuar nga kryeministri Edi Rama. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në diasporë, Berisha deklaroi se regjimet rrëzohen vetëm përmes protestave të fuqishme. Ai denoncoi gjithashtu përdorimin e bandave kriminale, të cilat, sipas tij, kanë qenë në shërbim të qeverisë për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë më 11 maj.

Kreu i Partisë Demokratike theksoi se opozita do të organizojë protesta për rrëzimin e narkodiktaturës së ndërtuar nga Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se pengon zhvillimin e zgjedhjeve të lira në vend. Sipas Berishës, opozita do të mobilizojë qytetarët në një lëvizje të gjerë qytetare.

Ai u ndal edhe te roli i bandave kriminale, për të cilat tha se janë vënë në shërbim të qeverisë me qëllim manipulimin e votës së qytetarëve.

Berisha, duke denoncuar miratimin e njëanshëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga ana e Edi Ramës, theksoi se Partia Demokratike kërkon një kod të ri zgjedhor që garanton zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Ai shtoi se edhe ndërkombëtarët e kanë dënuar regjimin e Edi Ramës, përmes rezolutave të miratuara para 11 majit dhe përmes raporteve të Parlamentit Evropian, në të cilat dënohet manipulimi i procesit elektoral në Shqipëri.