SYRI TV/ Berisha publikon pamje nga farsa elektorale e 11 majit: Komisionerët votojnë në vend të zgjedhësit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi pamje të reja nga ajo që ai e cilëson si farsa elektorale e 11 majit. Në pamje shihen komisionerë që votojnë vetë dhe fusin fletët e votimit në kuti në emër të qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp, lideri i opozitës deklaroi se këta komisionerë kanë vepruar nën urdhrat e Suel Çelës, për llogari të Edi Ramës. Berisha theksoi se beteja për demaskimin e farsës elektorale dhe për garantimin e votës së lirë do të vazhdojë deri në përmbushjen e këtyre objektivave.

Nga selia blu, Berisha denoncoi gjithashtu rastet në Elbasan, ku sipas tij, komisionerët e Partisë Socialiste kanë votuar në vend të qytetarëve, duke u deformuar vullnetin.

Ai akuzoi bandat kriminale në Elbasan për kërcënimet ndaj qytetarëve gjatë fushatës elektorale dhe në ditën e votimit.

Sa i përket çështjes së Bankersit, kreu demokrat bëri me dije se Edi Rama dhe Belinda Balluku duan të largojnë kompaninë që operon në fushat e naftës, ndërsa publikoi të dhëna mbi detyrimet që kompania ka paguar gjatë qeverisjes së tij.

Lidhur me sekuestrimin e pasurive të Suel Çelës, Berisha deklaroi se autoritetet italiane kanë ndjekur vetë procedurat, për shkak të dekonspirimit nga ana e SPAK-ut, njësoj si në rastin e Troplinëve, për të cilët janë marrë masa më herët.