Barcelona ngushëllohet me Roony Bardghji, ka kaluar pjesën e parë të vizitave mjekësore

Pas dështimit për të afruar Nico Williams, Barcelona ka gjetur njëfarë ngushëllimi te Roony Bardghji. Transferimi i talentit 19-vjeçar nga Kopenhaga po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit. Sipas raportimeve të fundit, Bardghji ka kaluar me sukses pjesën e parë të vizitave mjekësore, një hap kyç përpara zyrtarizimit të marrëveshjes.

Zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë shumë shpejt, me klubin katalanas tashmë të përgatitur për ta mirëpritur lojtarin. Drejtori sportiv i Kopenhagës, Smith Nielsen, kishte konfirmuar që në fund të qershorit se marrëveshja ishte thuajse e mbyllur:

"Presim që lojtari t’u nënshtrohet së shpejti kontrolleve mjekësore me Barcelonën, pas së cilës transferimi do të formalizohet," – deklaroi ai disa javë më parë.

Bardghji, i cili ka kontratë me klubin danez deri në dhjetor, vendosi të mos rinovonte, gjë që e detyroi Kopenhagën ta shiste për të mos e humbur me parametër zero. Shifra e transferimit pritet të jetë më pak se tre milionë euro.

Pavarësisht interesimit nga Porto, Bardghji ka qenë gjithmonë i qartë për dëshirën e tij për të veshur fanellën e Barcelonës, skuadër për të cilën bën tifozllëk që i vogël. Ky pasion e ka bërë procesin e negociatave më të shpejtë dhe më të lehtë, me sulmuesin e ri që tashmë është pranë nisjes së aventurës së tij në La Liga.