Pak orë pas shkarkimit nga Putin, gjendet i vdekur pranë Moskës ministri rus i Transportit

Ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur pranë Moskës të hënën, vetëm disa orë pasi u shkarkua nga Presidenti Vladimir Putin pas një serie ndërprerjesh të mëdha të trafikut ajror civil, të shkaktuara nga sulmet me dronë ukrainas. Mediat ruse raportojnë se pranë trupit të pajetë të Starovoit u gjet një armë zjarri, ndërsa vdekja po konsiderohet si një vetëvrasje e dukshme. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar mbi shkaqet e ngjarjes.

Largimi i Starovoit nga detyra ndodhi pasi pothuajse 300 fluturime u anuluan në aeroportet kryesore të vendit gjatë fundjavës së kaluar, ndërsa më shumë se 1,900 fluturime pësuan vonesa për shkak të kufizimeve ajrore të vendosura si pasojë e sulmeve. Sipas agjencisë federale të aviacionit Rosaviatsiya, linjat ajrore ruse kanë pësuar humbje mbi 200,000 euro. Kremlini nuk dha asnjë arsye specifike për shkarkimin e ministrit, i cili vetëm një vit më parë ishte riemëruar në këtë detyrë pasi shërbeu si guvernator i rajonit të Kurskut.

Ndërkohë, Ukraina vazhdon të synojë objektiva strategjike ruse në kuadër të kundërpërgjigjes ndaj ofensivës ajrore të Moskës ndaj infrastrukturës civile. Të shtunën, ushtria ukrainase njoftoi se kishte goditur bazën ajrore Borisoglebsk në rajonin Voronezh, një nga bazat kryesore të avionëve luftarakë rusë. Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se vetëm gjatë natës së fundit kishte rrëzuar 90 dronë ukrainas mbi territorin rus, Krimenë dhe Detin e Zi.

Kievi ka ndërmarrë në muajt e fundit një fushatë intensive me dronë, e cila ka penguar disa herë qarkullimin ajror në Rusi, përfshirë dhe para paradës së Ditës së Fitores në fillim të majit, kur mbi 350 fluturime u pezulluan. Vdekja misterioze e Starovoit vjen në një moment të tensionuar për lidershipin rus, i cili po përballet me presion të shtuar si në frontin ushtarak, ashtu edhe në menaxhimin e pasojave të luftës në territorin e tij./ Euronews - Syri.Net