PD Vlorë: Rama po shkatërron autonominë vendore, karshillëku dhe rrugaçëria e tij, dëshmojnë një marketing mjeran politik

Partia Demokratike Dega Vlorë ka reaguar me një deklaratë të fortë kundër Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për ndërhyrje të përsëritura në çështjet administrative të pushtetit vendor, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës dhe atë të Vlorës.

Në një deklaratë për shtyp, përcjellë nga Sekretari Funksional për Marrëdhëniet me Publikun, z. Rezenbrik Serjani, PD e Vlorës shprehu mbështetje të plotë për qëndrimin e Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë, e cila ka ngritur shqetësime për këto ndërhyrje që, sipas saj, cenojnë rëndë autonominë e pushtetit lokal.

Sipas PD-së së Vlorës, veprimet e Ramës përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit për vetëqeverisjen vendore, duke e kthyer administratën në një vegël politike në funksion të luftërave të brendshme brenda Partisë Socialiste. “Administrata kurrsesi nuk duhet të jetë plaçka e Edi Ramës, por shërbyese e çdo qytetari vlonjat,” thekson deklarata.

Në qëndrimin e saj, PD e Vlorës thekson se ndërhyrjet nga niveli qendror përbëjnë një rrezik serioz për integritetin institucional të pushtetit vendor dhe dëmtojnë demokracinë lokale. Ajo bën thirrje për reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe monitorimin e qeverisjes vendore, për të ndalur këtë prirje autoritare që, sipas saj, po çon drejt kolapsit funksionimin normal të qytetit të Vlorës.

Deklarata përfundon me tone të forta, duke e quajtur sjelljen e Kryeministrit “një karshillëk i një të marri” dhe një “shfaqje e pistë” për të mbuluar përplasjet e brendshme brenda “sektit Rama”. “Gjuha e tij fyese ndaj bizneseve, duke i quajtur ‘zaptues’, tregon batakun mjeran në të cilin ka rënë ky njeri, ku zaptuesi i vetëm sot mban emrin e tij, Edi Rama,” thuhet në deklaratë.

PD Vlorë riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur demokracinë vendore, transparencën dhe integritetin në shërbim të qytetarëve.

Deklarata: 

Partia Demokratike e Vlorës shpreh mbështetje të plotë për qëndrimin publik të Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë, e cila ka shprehur shqetësimin e saj të thellë ndaj ndërhyrjeve të përsëritura të Kryeministrit në çështjet administrative të bashkive, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës dhe më pas në Bashkinë e Vlorës. Kjo praktikë e papranueshme cenon autonominë e pushtetit vendor dhe shkel parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Si një forcë politike që e vlerëson dhe mbështet fuqishëm funksionimin e institucioneve demokratike dhe të pavarura, Partia Demokratike e Vlorës është në përkrahje të kërkesave të Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë për të mbrojtur autonominë vendore dhe për të siguruar një qeverisje transparente dhe përgjegjshme. Ne mendojmë se ndërhyrjet e tilla politike nga niveli qendror janë një rrezik serioz për integritetin institucional të pushtetit vendor dhe përpjekjet për të ruajtur demokracinë lokale.
Përmes kësaj deklarate, Partia Demokratike e Vlorës kërkon që të gjitha palët e përfshira, përfshirë institucionet e mbikëqyrjes dhe monitorimit të qeverisjes vendore, të reagojnë me urgjencë për të mbrojtur integritetin e pushtetit vendor dhe të sigurojnë që çdo akt i qeverisjes të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Ndërhyrjet e tilla cënojnë ecurinë e demokracisë dhe transparencën e qeverisjes vendore. Partia Demokratike e Vlorës mbetet e angazhuar për të mbrojtur parimet e qeverisjes me përgjegjshmëri, integritet dhe respekt për vullnetin e qytetarëve.
Ky nuk është mekanizmi për të përmirësuar jetën e këtij qyteti, dhe kjo nuk bëhet aspak për këtë qëllim. E gjithë kjo është një shfaqje, një karshillek i një njeriu në marrëzitë e tij.
Të nderuar qytetarë, ky shfaqje e pista, në kurriz të Vlorës, është e gjitha një luftë e brendshme brenda Partisë-Shtet të Partisë Socialiste dhe sektit Rama, i cili, në kuadrin e mbrojtjes së një klani brenda sektit të tij, godet klanin tjetër, ashtu siç po bën me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës.
Administrata kurrsesi nuk duhet të jetë placka e Edi Ramës, por ajo duhet të jetë shërbyese e çdo qytetari vlonjat.
Zullumet e sektit Rama, administratës së tij të kalbur në qendër dhe në nivel vendor, po kolapsojnë çdo ditë e më shumë normalitetin e qytetit të Vlorës.
Denojmë me forcë marrëzitë e një të marri, i cili thyen çdo ligj, çdo normë e moral. Gjuha e tij fyese ndaj bizneseve, duke i quajtur “zaptues”, tregon batakun mjeran në të cilin ka rënë ky njeri, ku zaptuesi i vetëm sot mban emrin e tij, Edi Rama.
Karshilleku dhe rrugaceria e tij në Vlorë, dëshmojnë një marketing mjeran politik.