Danimarka përjashton çdo skenar aneksimi të Grenlandës, ndërsa paralajmëron: Plani i Trump nuk është mbyllur ende

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ka deklaruar se çdo bisedë mbi të ardhmen e Grenlandës “nuk mund të jetë kurrë rreth aneksimit”, duke iu përgjigjur deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili sërish ka shprehur ambicien për ta përfshirë ishullin strategjik në territorin amerikan.

“Ne nuk e konsiderojmë një aneksim ushtarak si diçka që ka gjasa të ndodhë. Por nuk mendojmë se kjo çështje është mbyllur,” tha Rasmussen në një takim me gazetarët në qytetin Aarhus. Sipas tij, retorika e Trump është bërë më shqetësuese se në mandatin e tij të parë, ndërsa paralajmëroi për përpjekje të mundshme për të ndikuar opinionin publik grenlandez përmes fushatash ndërhyrëse.

Komentet e kreut të diplomacisë daneze vijnë teksa Danimarka ka marrë presidencën e Këshillit të BE-së dhe po përpiqet të forcojë bashkëpunimin me SHBA-në në kuadër të marrëveshjes së mbrojtjes së vitit 1951, por gjithmonë brenda kornizës së respektimit të sovranitetit.

Ndërkohë, Brukseli dhe liderët kryesorë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kanë dalë hapur në mbështetje të Danimarkës dhe integritetit të saj territorial. Macron e cilësoi ambicien e Trump për Grenlandën si një “zgjim për të gjithë Evropën”, ndërsa Ursula von der Leyen e përmendi Arktikun si një zonë me rëndësi strategjike në rritje.

Grenlanda, e pasur me minerale të rralla dhe me një pozitë gjeopolitike kyçe, ka qenë gjithnjë më shumë në fokusin e garës globale për ndikim në Arktik. Por, përkundër presionit amerikan, shumica dërrmuese e 56 mijë banorëve të saj refuzojnë idenë e bashkimit me SHBA-në dhe kanë votuar një qeveri koalicioni që mbron vetëvendosjen.

Rasmussen theksoi se Danimarka po investon 14.6 miliardë korona (1.95 miliardë euro) për të rritur praninë ushtarake në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit. Ai mbeti i bindur se çështja mund të zgjidhet në mënyrë paqësore, por nënvizoi: “Nuk e ndjej se kjo histori ka marrë fund. Nuk është kështu.”