Një tufë bletësh sulmon kalimtarët në qytetin francez, tre persona në spital

Një incident i pazakontë ka ndodhur të dielën në qendër të qytetit Aurillac në Francë, ku një tufë bletësh sulmoi dhjetëra kalimtarë, duke shkaktuar panik dhe tre të shtruar në spital. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit, në prefekturën Cantal, në rajonin jugor Auvergne-Rhône-Alpes.

Në total, 24 persona u pickuan nga bletët, përfshirë tre zjarrfikës, ndërsa tre prej tyre pësuan reaksione alergjike dhe u dërguan me urgjencë në spital. Një tetëdhjetëvjeçar pësoi edhe arrest kardiak, por fatmirësisht u ringjall dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, bletët kishin ardhur nga disa koshera të vendosura mbi çatinë e një hoteli, ndërsa dyshohet se janë provokuar nga prania e grerëzave aziatike. Kryebashkiaku Pierre Mathonier deklaroi se po shqyrton ndalimin e vendosjes së koshereve në qytet, ndërkohë që një hetim është hapur nga prokuroria për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.