SYRI TV/ Shqipëria më e shtrenjtë se vendet e BE – Veza, djathi e qumështi, me çmimin më të shtrenjtë në treg
Qytetarët shqiptar po blejnë produktet ushqimore më shtrenjtë se vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se shqiptarët blejnë më shtrenjtë vezën, qumështin dhe djathin, por jo më pak edhe produktet e tjera të shportës. Sipas këtij raporti, blegtori e bujqësi në vendin tonë po shkon në pikiatë për shkak të mungesë së subvencioneve dhe mungesë së fuqisë punëtore nga emigrimi masiv.
Syri TV
Shqipëria po përballet me një paradoks, ku çmimet e ushqimeve për herë të parë në histori e tejkaluan mesataren e Bashkimit Europian, por ndërkohë vendi ka peshën më të lartë të bujqësisë në të gjithë Europën.
Të dhënat e Eurostat treguan se për herë të parë që nga viti 2005, kur njësia europiane e statistikave mat të dhënat, indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë e ka kaluar nivelin 100% duke shkuar në 100.1%.
Kjo do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që fuqia blerëse është sa 41% e mesatares së BE-së. Produktet më të shtrenjta ushqimore për familjet shqiptare në raport me BE-në janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë kërcyer në 131% të mesatares së BE-së.
Shqipëria i ka çmimet më të shtrenjta dhe në raport me vendet e rajonit. Serbët blejnë ushqimet me çmime që janë sa 96.4% e mesatares së BE-së. Në Mal të Zi ushqimet kushtojnë sa 84.4% e mesatares së BE-së, në Bosnjë sa 83.2% dhe më të lirat, jo vetëm në Europë, por dhe në rajon janë në Maqedoninë e Veriut, sa 73.4% e mesatares së BE-së.
Bujqësia shqiptare vuan nga subvencionimi i ulët krahasuar me vendet e rajonit, por edhe emigrimin masiv që ka ulur fuqinë punëtore.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave bënë të ditur se sektori i blegtorisë është në rënie të lirë si për nga numri i krerëve, por edhe nga sasia e prodhimit. Sipas INSTAT u shënuan rënie të krerëve në të gjitha llojet e kafshëve për mish dhe qumësht, duke përfshirë edhe pulat për vitin 2024 në krahasim me 2023.