Von der Leyen përballet me një debat jetik: Eurodeputetët vendosin këtë javë për fatin e Komisionit Europian
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të përballet sot me një debat jetik në Parlamentin Europian, përpara se eurodeputetët të votojnë të enjten mbi një mocion mosbesimi që mund të çojë në dorëheqjen e saj dhe të gjithë Komisionit. Votimi do të zhvillohet me thirrje nominale dhe për të kaluar kërkohet shumica e dy të tretave të votave të hedhura, që përfaqësojnë gjithashtu një shumicë të përgjithshme të eurodeputetëve. Nëse kjo ndodh, do të ishte vetëm hera e dytë në historinë e BE-së që Komisioni detyrohet të largohet.
Deri tani, janë bërë nëntë përpjekje për të rrëzuar Komisionin Europian, por vetëm një herë ka rezultuar në dorëheqje – në vitin 1999, kur Komisioni i drejtuar nga Jacques Santer dha dorëheqjen përpara votimit formal, pas akuzave për mashtrime dhe mungesë transparence. Në rastin e fundit më të afërt, në vitin 2014, Komisioni i Jean-Claude Juncker i mbijetoi mocionit të ngritur pas skandalit “LuxLeaks”, me vetëm 101 vota pro nga 670 të mundshme.
Sipas rregullave të Parlamentit, çdo eurodeputet që ka nënshkruar mocionin mund ende të tërheqë mbështetjen e tij, çka mund të bllokojë të gjithë procesin nëse nuk arrihet më kuorumi prej një të dhjetës së anëtarëve. Votimi pritet të shënojë një moment vendimtar për të ardhmen politike të von der Leyen dhe të vetë drejtimit të Komisionit Europian.