Ardian Ismajli mbërrin në Torino për vizitat mjekësore, më pas kontrata

Ardian Ismajli do të bëhet sot edhe zyrtarisht me klub të ri.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka zbarkuar në orët e para të mëngjesit në Torino për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore.

Nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve, më pas përfaqësuesi shqiptar do ta nënshkruajë një kontratë trevjeçare me klubin torinez, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër.

Sipas mediave italiane, Ismajli do të paguhet 1,1 milion euro në vit plus bonuset.

Futbollisti i lindur në vitin 1996 i kaloi sezonet e fundit në Empoli, por u nda pak ditë më parë me këtë klub pasi s’arriti të mbijetonte në Serie A.

Qendërmbrojtësit i skadoi kontrata me Empolin dhe në Torino do të shkojë si lojtar i lirë.

Në total, 29-vjeçari ka zhvilluar 117 ndeshje në Serie A, ndërsa ka realizuar një gol dhe ka dhënë dy asistime.