'Të gjithë sektorët po çedojnë në cilësi'/ Kola: Jemi mësuar me tragjedi, mungon kultura e sigurisë në punë

Dr. Gerald Kola, Gastro Hepatolog dhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Shqipërisë, ngriti alarmin për mungesën e sigurisë në vendin e punës gjatë intervistës në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV.

Sipas tij, në Shqipëri shpeshherë pritet të ndodhë një fatkeqësi për të ndërhyrë, ndërsa koncepti i cilësisë në punë mungon tërësisht.

“Ideja është që te ne duhet të bëhet diçka fatale që të fillojnë e të merren masa, apo që të bjerë në sy që nuk ekzistoka kjo gjë,” tha Kola.

Ai theksoi se siguria dhe shëndeti në punë nuk duhet parë vetëm si mënyrë për të shmangur fatalitetet, por si një standard themelor për të garantuar një punë më cilësore dhe dinjitoze. Sipas Kolës, mungesa e kujdesit dhe kulturës së cilësisë është një plagë që shtrihet në të gjithë sistemin.

“Ne jemi mësuar me fatalitete, ndërkohë që duhet të fillojmë të edukojmë veten me kulturën e cilësisë. Ka ikur koha e mbijetesës, ne duhet të mësojmë të jetojmë dhe të punojmë në kushte dinjitoze,” u shpreh ai.

Kola shtoi se problematika prek çdo sektor dhe institucion: nga spitalet deri te policia rrugore, duke nënvizuar se çdokund ka rënie të cilësisë. Apeli i tij ishte i qartë: koha e reagimeve pas tragjedive duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet me parandalim dhe ndërtim të një kulture pune të sigurt dhe me standard.

Kola: 

Ideja është që te ne duhet të bëhet diçka fatale që të fillojnë e të merren masa apo që të bjerë në sy që nuk ekzistoka kjo gjë.
Praktikisht ne nuk kujdesemi dhe nuk e kemi konceptin e cilësisë së punës, duke qenë se siguria dhe shëndeti në punë, është më tepër për një punë më cilësore sesa për të shmangur fatalitetet.

Ne duhet të synojmë që të arrijmë nëpërmjet sigurisë së shëndetit në punë, një punë sa më dinjitoze, sa më cilësore dhe të sigurt patjetër.

Është ideja që ne jemi mësuar vetë, me fatalitete, ndërkohë që duhet të fillojmë që të mësojmë dhe ta edukojmë veten me atë kulturën e cilësisë së mirë, domethënë çdo gjë që bëjmë, qoftë kur jetojmë, qoftë kur punojmë, ne duhet të kemi cilësi, ka ikur koha e mbijetesës, ne duhet të mësojmë të jetojmë dhe të jetojmë në kushte dinjitoze.
Ky është problem, ne jemi akoma në standardet e mbijetesës.

Nëse do të ndalemi sërish te pjesa e cilësisë, të gjitha profesionet dhe të gjitha institucionet çedojnë në këtë, kudo. Qoftë që nga spitalet, policia rrugore, kudo, të gjithë çedojnë në cilësi.