Avioni i luftës F-35B bllokohet prej javësh në Indi, Mbretëria e Bashkuar dërgon ekip special inxhinierësh për riparim
Një avion luftarak britanik i teknologjisë së fundit, F-35B, ka mbetur i bllokuar në një aeroport të Indisë për më shumë se tre javë, duke ngjallur habi dhe vëmendje ndërkombëtare. Avioni, i cili i përket Marinës Mbretërore dhe ndodhej në një mision trajnimi mbi Oqeanin Indian, bëri ulje emergjente më 14 qershor në aeroportin Thiruvananthapuram në shtetin jugor të Keralës, pas përplasjes me mot të keq dhe më pas raportoi një defekt teknik që e pengoi kthimin në aeroplanmbajtësen HMS Prince of Wales.
Pavarësisht përpjekjeve fillestare nga inxhinierët në bordin e anijes, avioni nuk u riparua, çka e detyroi Mbretërinë e Bashkuar të dërgonte një ekip të posaçëm prej 14 inxhinierësh dhe pajisje të specializuara për të ndërhyrë në vendngjarje. Airbus-i i Forcave Ajrore Mbretërore zbarkoi teknikët britanikë në Thiruvananthapuram të dielën, ndërsa pamjet e shpërndara nga mediat indiane tregonin avionin F-35B duke u tërhequr drejt një hangari për vlerësim më të detajuar.
Avioni me vlerë 110 milionë dollarë po ruhet 24 orë në ditë nga oficerë të RAF-it, ndërsa autoritetet kanë pranuar që pajisjet për zhvendosjen e tij në një qendër të Mirëmbajtjes dhe Riparimit janë ende në pritje për t’u sjellë nga Britania. Në rast se nuk riparohet dot në vend, ai mund të çmontohet dhe të transportohet nga një avion mallrash si C-17 Globemaster.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e Dhomës së Komunave në Londër, ndërsa në Indi imazhet e avionit “të vetmuar” të parkuar në pistë nën shirat musonikë të Keralës kanë qarkulluar gjerësisht në rrjet, duke u shndërruar në meme virale. Me humor, përdoruesit në rrjetet sociale kanë sugjeruar se F-35B ka zgjedhur të qëndrojë në “vendin e Zotit”, siç përshkruhet shpesh Kerala në broshurat turistike.