Luani sulmon familjen në Pakistan : Arrestohen pronarët, autoritetet nisin goditje ndaj kafshëve të egra të paligjshme

Policia në Pakistan ka arrestuar pronarët e një luani shtëpiak, i cili sulmoi një grua dhe tre fëmijët e saj të vegjël pas arratisjes nga prona ku mbahej. Ngjarja ndodhi në qytetin lindor të Lahores, ndërsa momentet dramatike u kapën nga kamerat e sigurisë, ku shihet luani duke kapërcyer një mur betoni dhe duke ndjekur viktimat. Gruaja dhe fëmijët e saj, të moshës pesë dhe shtatë vjeç, pësuan plagë në krahë dhe fytyrë, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, pronarët janë akuzuar për mbajtjen pa licencë të një kafshe të egër dhe për neglizhencë të rëndë, e cila çoi në arratisjen e luanit. Kafsha është kapur dhe transferuar në një park të specializuar për kafshët e egra. Sipas dëshmisë së babait të fëmijëve, pronarët nuk ndërhynë aspak gjatë sulmit dhe e panë të gjithë skenën pa bërë asnjë përpjekje për të ndaluar luanin.

Në Pakistan, mbajtja e kafshëve të mëdha si luanë, tigra dhe gepardë është e ligjshme vetëm nëse janë të regjistruar dhe mbahen jashtë zonave urbane, pas pagesës së një tarife prej 50,000 rupish. Lahore, ku ndodhi incidenti, është qyteti i dytë më i madh në vend dhe ndalohet mbajtja e tyre brenda kufijve të qytetit.

Pas incidentit, autoritetet e provincës Punjab nisën një fushatë kontrolli kundër posedimit të paligjshëm të kafshëve të egra, duke arrestuar deri më tani pesë persona dhe duke konfiskuar 13 luanë. Ky nuk është rasti i parë i tillë. Në janar, një yll i njohur pakistanez i YouTube u detyrua të realizonte video për ndërgjegjësimin mbi mirëqenien e kafshëve, pasi mbante në mënyrë të paligjshme një këlysh luani si dhuratë martese.